Policia e Kosovës kanë realizuar një aksion për bastisje në një lokacion me dyshimin për trafikim me narkotikë.
Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se lidhur me këtë rast, hetimet kanë filluar me 04 shkurt 2022, ndaj tre personave, ku njëri nga ta është arrestuar sot.
“Me rastin e bastisjes janë kapur në flagrancë dhe janë arrestuar gjashtë (6) persona, katër (4) prej tyre shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe dy (2) shtetas të Republikës së Kosovës, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurrës së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 paragrafi 1 lidhur me 31, dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautroizuar e narkotikëve, substanave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatën për media.
Nga ky aksion janë gjetur rreth 32 kg narkotikë e llojit marihuanë, dymijë e pesëdhjetë e nëntë (2059) bimë të mbjella në saksi, të cilat janë konfiskuar, si dhe narkotikë që kanë qenë të përgatitura dhe të gatshme për shitje.
Vendi (laboratori) ku janë gjetur narkotikët i ka pasur të gjitha pajisjet e nevojshme për kultivimin e bimës së kanabisit si: ndriçimin e posaçëm, sistemin e ujitjes, sistemin e ajrosjes, peshore, qese, si dhe sasi të konsideruar të dheut të vendosura në thasë.
Nga ky aksion janë sekuestruar:
– Tre (3) automjete të markave BMË, Ford dhe Opel Zafira;
– Gjashtë (6) celularë;
– Para të gatshme në shumë prej 2185.29 euro, 313 denar maqedon;
– Një (1) DVR; dhe
– Një (1) llaptop.
Po ashtu, lidhur me këtë rast hetimet do të vazhdojnë, ndërsa për të arrestuarit nga prokurori i çështjes është lëshuar vendimi për ndalim 48 orësh.