Fjalë Kyçe

Detaje të reja në lidhje me rastin në AZHB: Dokumente fiktive, ndarja e subvencioneve me fermerët

Detaje të reja në lidhje me rastin në AZHB: Dokumente fiktive, ndarja e subvencioneve me fermerët

Në aksionin e sotëm policor u arrestuan 12 persona, përfshirë dhjetë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë, e u sekuestruan 400 mijë euro, me dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare – dhënie e marrje ryshfeti. Personat e arrestuar dyshohen për keqpërdorim me subvencione bujqësore.

Kryeshefi i AZHB-së, Agim Nuha, ishte shoqëruar në Polici, mirëpo ai më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Burime brenda Zyrës së Prokurorit të Shtetit kanë treguar për KOHËN se personat që dyshohen për keqpërdorim kishin dalë në terren për të gjetur fermerë dhe u ishte thënë që të aplikonin, dhe se ata do t’u ndihmonin e mund të mos investonin para.

“Kanë bërë dokumente fiktive, janë fituar subvencione dhe nuk është bërë asnjë investim, por paratë janë ndarë 50-50”, ka njoftuar burimi për KOHËN.

Po ashtu, sipas burimit, dyshohet se janë bërë kontrata për qiradhënie të tokës bujqësore pa qenë fare në dijeni pronari i tokës.

Në aksionin e të mërkurës janë sekuestruar tetë vetura, ndër to një “Toyota” e tipit të ri, në vlerë 40 mijë euro dhe një “Mercedes GML” në vlerë 70 mijë euro.

Aksioni është bërë në disa qytete. Në rastin e Gjilanit raportohet se paratë janë fshehur në banjë.

Në rastin e Batllavës janë gjetur dy valixhe me para. Një mbi dollap e një valixhe metalike me para ishte futur në një shportë të teshave dhe një familjar kishte thënë se po dilte për t’i shtrirë teshat, ndërsa paratë kanë qenë të mbuluara me tesha e janë kapur.

Burimi ka thënë se nuk kishte asnjë koordinim as njoftim me ministrin në detyrë të Bujqësisë, Besian Mustafa. Ndërsa hetimi kishte nisur para se Nazim Sahiti të ishte drejtor i Krimeve Ekonomike.