Fjalë Kyçe

Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak zbulon lokacionin e saktë të takimit të ardhshëm Kurti-Vuçiq

Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak zbulon lokacionin e saktë të takimit të ardhshëm Kurti-Vuçiq

Takimi i 18 marsit në mes Kosovës dhe Serbisë do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Këtë e ka kumtuar vetë ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak.

Lajçak pas një takimi që ka pasur me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane të Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq, në një postim në Twitter, e falënderuar që po mundësojnë lokacionin e Ohërit për takimin e radhës.

“Pata një takim të shkëlqyer me Zv. Mariçiq. I jam mirënjohësMaqedonisë së Veriut për mbështetjen e fortë ndaj Dialogut dhe mezi pres takimin e radhës të Dialogut në Ohër më vonë këtë muaj. Diskutuam gjithashtu çështje thelbësore për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan të hënën në Bruksel për ta çuar para procesin e dialogut përmes pranimit të propozimit të Bashkimit Evropian, ndonëse i njëjti nuk u nënshkrua nga të dy liderët.

Propozimi, i cili edhe u bë publik për herë të parë të hënën, përmban gjithsej 11 nene. Pos marrëveshjes bazë, propozimi përmban edhe planin e zbatimit.

Takimi i radhës i Nivelit të Lartë është paraparë të zhvillohet më 18 mars në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Diskutime të vështira gjatë muajve në vijim paralajmëroi kryeministri i vendit, Albin Kurti pas kthimit nga Brukseli. Kurti gjatë ditës së djeshme tha se nuk ka hequr dorë nga njohja reciproke.

“Nuk kemi hequr dorë nga asgjë dhe do të vazhdojmë për qytetarët e Kosovës. Na presin takime e diskutime të vështira në muajt në vazhdim. Jam i hapur për çdo raportim në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka konfirmuar se palët ndërmjetësuese të dialogut janë të përkushtuar që gjatë muajit mars të ketë marrëveshje për propozimin në fjalë.