Franca dhe Gjermania presin që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të rinisë. Kështu ka bërë të ditur Ambasada e Francës përmes një postimi në Twitter.
“Franca dhe Gjermania presin që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të rinisë së shpejti. Së basjku me kancelaren Merkel, presidenti Macron mbetet i gatshëm ta udhëheqë Samitin në Paris”, ka shkruar ambasada.
Ndërkaq postimin e njëjtë e ka shpërndarë ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, ka thënë se të dyja qeveritë janë të gatshme të ndihmojnë takimin e propozuar në korrik.
“Ne i mbështesim fuqishëm përpjekjet e Bashkimit Evropian, me Mirosllav Lajçak, për të arritur përparim të rëndësishëm, në afat të prekshëm kohor, për zgjidhje gjithëpërfshirëse. Qeveritë tona janë të gatshme të ndihmojnë takimin e propozuar në korrik”, shkroi ambasadori Heldt në Twitter.
Mirëpo të dyja ambasadat nuk e kanë komentuar aktakuzën e Gjykatës Speciale ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.
Ndërkaq takimi i cili pritej të mbahej në Washington, i thirrur nga emisari i SHBA-së për dialogun, Richard Grenell, është anuluar. Fillimisht pjesëmarrjen e tij e kishe anuluar Thaçi të mërkurën, pastaj të enjten edhe kryeministri Avdullah Hoti.