Mark Gjonaj: Sigurish, qeveria dhe udhëheqësit politikë në vendet amë janë në gjendje ta pranojnë komunitetin shqiptaro-amerikan dhe diasporën si partnere. Ne mund të shfrytëzojmë këtë mundësi për t’i bashkuar të dyja palët. Është koha që diaspora ta luajë këtë rol, si të ishte “plaku i fshatit”, të bashkojë të dyja palët për të mirë. Nëse ata me të vërtetë e vlerësojnë komunitetin shqiptaro-amerikan, ata duhet të na lejojnë të luajmë rolin për t’i sjellë të gjitha palët në tryezë. Pa kushte, pa mandat, sepse kjo është gjëja e duhur.
Zëri i Amerikës: Kush do ta përfaqësonte komunitetin në këtë rast?
Mark Gjonaj: Në këtë drejtim, ne kemi së pari përvojën dhe lidhjet e duhura si me Uashingtonin ashtu edhe me BE-në, për t’i lejuar ata të marrin pjesë si vëzhgues. Unë do të shfrytëzoja mekanizmat që ne tashmë i kemi. Fjala është për organizatat shqiptaro-amerikane që ekzistojnë aktualisht, rreth 60 në të gjithë vendin, për të formuar një komitet që do të vepronte si rruga për të sjellë palët së bashku. Ne duhet të bëjmë zgjedhje në çdo vend ku kemi një numër të madh shqiptarësh, pra që ata të zgjedhin një ambasador në atë vend. Dhe kjo duhet të bëhet në mënyrë të drejtë, transparente me një datë të caktuar. Këta njerëz do të ishin zëdhënësit, nëse mund të shprehem kështu, të këtij komuniteti. Në këtë mënyrë ne mund të formonim një kongres të udhëheqësve shqiptarë të diasporës, të zgjedhur nga diaspora, për të përfaqësuar interesin më të mirë të saj. Nga ai trup, ne duhet të jemi në gjendje të zgjedhim dy ambasadorë, nëse mund t’i quajmë kështu, një për Shqipërinë dhe një për Kosovën.
Zëri i Amerikës: Pra, ju po flisni për një përpjekje serioze nga ana e diasporës, por kush do ta sponsorizonte këtë përpjekje financiarisht sepse kjo duket se është problem?
Mark Gjonaj: Investimi financiar që nevojitet është minimal në krahasim me përfitimet. Nuk do të kishte përfitim më të madh për Shqipërinë apo Kosovën sesa investimi në diasporë. Diaspora ka përvojën, njohuritë, pasurinë dhe një përkushtim të madh për njerëzit në vendin amë. Pra, ky do të ishte një investim i vogël nëse mendojmë se kjo mund të sillte një ndryshim të madh për njerëzit tanë në Ballkan, do të sillte stabilitet ekonomik, stabilitet shoqëror dhe politik dhe një pasuri të jashtëzakonshme për të ardhmen tonë. Dhe unë do të imagjinoja që, me burimet që kemi, edhe Shtetet e Bashkuara, dhe mbase BE-ja do të ishin të gatshme të investonin në diçka që do të ndihmonte në zbutjen e vështirësive, për zgjidhjen e problemeve tona, pa nevojën e bashkësisë ndërkombëtare.
Zëri i Amerikës: Z. Gjonaj, ju keni qenë pjesë e dy samiteve të diasporës në Shqipëri, ndërsa anëtarë të tjerë të komunitetit nuk kanë pranuar të marrin pjesë, duke i quajtur ato një fasadë për qeverinë. A ia vlen të zhvillohen aktivitete të tilla?
Mark Gjonaj: Çdo përpjekje dhe nismë që synon për mirë duhet të shfrytëzohet si mundësi. Le të mos shohim më larg se Portugalia, Koreja e Jugut, Irlanda, apo Izraeli, ose vendet që përfituan nga pjesëmarrja e diasporës, si nga pikëpamja ekonomike, politike edhe shoqërore. Ne gjithmonë ia kemi borxh atdheut dhe popullit tonë që të angazhohemi. Ne jemi në gjendje të sjellim ndryshim. Thjesht duhet të jemi të ftuar në tryezë dhe të bëhemi një palë e vërtetë e interesuar ndërsa përpiqemi të vëmë në jetë këto nisma.