Fjalë Kyçe

Diplomati austriak: “Mini-Shengeni” u bë nga BE-ja

Diplomati austriak: “Mini-Shengeni” u bë nga BE-ja

Diplomati austriak, Wolfgang Petrich, ka thënë se ideja për një “Mini-Shengen”, ka ardhur nga Bashkimi Evropian.

Diplomati austriak, Wolfgang Petrich, ka thënë se vendimi i Francës, përkatësisht presidentit frances, Emmanuel Macron, për bllokimin e negociatave me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë është e dëmshme për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor dhe se sipas tij, ky refuzim ka kontribuuar në përshpejtimin e idesë së “Mini-Shengenit”.“Është gjithmonë e vështirë të argumentohet nëse “B” do të kishte ndodhur po të mos kishte ndodhur “A”, por sipas mendimit tim, tani është e qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor që BE nuk do t’i zgjidhë problemet e tyre në një afat të shkurtër. Po aq e keqe sa vendimi i presidentit Macron është të bllokohet hapja e negociatave me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë, mbase përfitimi i vetëm është që koha e transformimit ka kaluar.

BE nuk po pretendon që së shpejti do të anëtarësohen vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor nuk mund të pretendojnë se me anëtarësimin në BE do t’i zgjidhnin problemet e tyre”, ka thënë Petrich në një intervistë dhënë për portalin serb në Kosovë “Kosovo Online”, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, “Mini-Shengeni”, duhet t’i ndihmojë shtetet që të mbështesin njëra-tjetrën dhe t’i zgjidhin problemet mes vete.“Dhe kjo është arsyeja pse, ndërsa unë besoj se vendimi i Macron është i dëmshëm për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor, mund të thuhet se ka kontribuar në përshpejtimin e idesë së një “Mini-Shengeni”, u shpreh diplomati austriak Wolfgang Petrich.I pyetur nëse marrëveshja midis Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore duhet të pranohet nga vendet e tjera të Ballkanit, ai përgjigjet se nuk sheh absolutisht asnjë arsye pse marrëveshja nuk do të pranohej.“Së pari, natyrisht, e drejta sovrane e vendeve sovrane për të lidhur marrëveshje dhe për të mos ndërhyrë në sovranitetin e të tjerëve ekziston. Së dyti, dhe më e rëndësishmja, besoj se “Mini-Shengeni”, është jashtëzakonisht premtues për vendet pjesëmarrëse. Vendet e rajonit janë thjesht shumë të vogla për të garuar. Edhe pse tashmë ekziston një marrëveshje e tregtisë së lirë me CEFTA-n, procedurat e gjata kufitare dhe barrierat jotarifore ndalojnë seriozisht përparimin ekonomik dhe mbajnë prapa zhvillimin e të gjithë rajonit”, deklaroi Petrich, transmeton më tutje lajmi.net.

Sipas tij, nëse këto probleme mund të zgjidhen me “Mini-Shengen” dhe nëse prezantohet tregtia e lirë, ekonomistët parashikojnë një përfitim të rëndësishëm për të gjithë.“Nëse “Mini-Shengeni” përmbush atë që premton, rajoni mund të bëhet një destinacion i përshtatshëm për ndërmarrjet e huaja dhe një treg koherent për mallra, shërbime dhe fuqi punëtore, me të gjitha përfitimet që sjell. Megjithatë, sasia e punës dhe negociatave të nevojshme për ta bërë këtë nuk duhet të nënvlerësohet dhe duhet të punohet për arritjen e këtij qëllimi”, u shpreh Petrich.

Ndërkaq sa i përket kundërshtimit të Kosovës dhe Kroacisë për “Mini-Shengenin”, Petrich thotë se, këto dy shtete kanë arsye të ndryshme.“Kroacia pretendon se ajo tashmë nuk ka pengesa jotarifore për tregti dhe se qytetarët e saj kënaqen të udhëtojnë nëpër rajon pa pasaportë, kështu që asgjë nuk do të ndryshonte nëse ata do të bashkoheshin në mini-Shengen. Megjithatë, me sa kuptoj unë, detajet e projektit të propozuar nuk janë akoma të qarta. Dhe nëse “Mini-Shengeni” bëhet realitet dhe shihet se sjell përfitime të dukshme, nuk kam dyshim se Mali i Zi do të bashkohet gjithashtu”, tha Petrich.