Milan St. Protic e mban veten për serb të mirë dhe të ndershëm. Ai është i shkolluar në Amerikë dhe ka bindje liberale. Është i zëshëm ndaj krimeve që serbët së voni kanë kryer ndaj popujve tjerë duke e dënuar sidomos gjenocidin në Srebrenicë me fjalët më të rënda. Por, pikërisht kjo e ka shtyrë që të bëj edhe diçka tjetër. Është mobilizuar për të dokumentuar edhe krimet që dyshohen se kanë kryer shqiptarët ndaj serbëve. Me të marrë postin e ambasadorit në Zvicër, ai i ishte vënë pas Dick Martyt, shkruan Gazeta Express.
Sipas Protic, ai është nga disa personat kyç që ka ndikuar që të formohet Gjykata Speciale pasi fillimisht e kishte bindur senatorin zviceran që ta shkruaj raportin për “krimet e shqiptarëve” i cili sipas tij bazohet kryesisht në të dhëna të prokurorisë serbe për krime lufte. Tani që Gjykata Speciale ka nisur punën, ai në një emsion televiziv i ka atribuuar vetes merita se ka qenë prapa ndërmarrjes serbe për t’i bërë përgjegjës shqiptarët për “krime lufte”.
Krejt këto pohime historiani serb i ka bërë gjatë një emisioni në Tv Happy të Serbisë ku ka shpjeguar të gjithë fillin dhe prapaskenat e përgatitjes të raportit të prokurorit zviceran rreth pretendimeve për trafikim organesh dhe krime lufte.
Protiç tregon, se më të shkuar si ambasador në Zvicër (pas rënies së Milloshviqit ka qenë ambasador i Serbisë dhe Malit të Zi në SHBA), pa e ditur aq se me çfarë pune do të merrej.
Por ajo që kishte ndryshuar gjithçka, ishte emërimi në atë kohë i zviceranit Dick Marty si raportues në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për rastin e “Shtëpisë së Verdhë” (vendi ku pretendohet se është kryer trafikim organesh).
Pasi e kishte marrë këtë informacion, ai thotë se ishte interesuar të gjej çdo detaj se kush është Dick Marty.
Protiç thotë se pas emërimit të Martyt, kishte shkuar për të takuar drejtuesin e Prokurorisë për Krime Lufte, Vukçeqviq, dhe zëvendësin e tij Bruno Vekariq.
Dy prokurorët kishin hartuar një raport prej 1000 faqeve, të cilin Protiç e quan si të mrekullueshëm, dhe pasi e kishte marrë atë raport, ai kishte bërë përpjekje për të takuar prokurorin zviceran.
E gjithë kjo përpjekje për të takuar Martyn e për t’ia dorëzuar atë raport të Prokurorisë Serbe për Krime Lufte, Protiç thotë se kishte zgjatur rreth 1 vit e gjysmë.
Ai tregon se si sot pas shumë viteve, kur e lexon raportin e Dick Martyt për pretendimet me trafikim organesh, e sheh që është i mbështetur plotësisht në raportin 1000 faqesh të Prokurorisë Serbe.
“Duke u përgatitur për të shkuar në Zvicër, mendoja për atë se çfarë do të kisha mundur unë të punoj atje. Dhe pikërisht në atë kohë Dik Marti u emërua raportues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës me rastin e Shtëpisë së Verdhë, në bazë të asaj që Karla del Ponte e shkroi në librin e saj të memoareve “Unë dhe kriminelët e luftës” dhe paralelisht me këtë katër gazetare të guximshme të B92 bënë më duket katër emisione të jashtëzakonshme për shtëpinë e verdhë dhe duke u përgatitur për të shkuar lexova gjithçka që munda dhe që gjeta për Dik Martin – kush është, çka është, prej nga është dhe paralelisht me këtë, kokë në vete, shkova në Prokurorinë për krime lufte, që atëherë e drejtonte prokurori Vukçeviq dhe Bruno Vekariq, miku im i vjetër dhe i mirë, ishte zëvendës i tij, për të parë se çfarë kemi ne nga materiali dëshmues. U tregua se prokuroria jonë dispononte me material jashtëzakonisht mirë të punuar me mbi 1.000 faqe, fotografi, dëshmitarë. Një dokument i mrekullueshmëm. Dhe atëherë ajo më dha një energji shtesë që të tentoj pas ardhjes në Bernë ta kërkoj Dick Martyn dhe të bisedoj me të se a do të ishte ai i gatshëm ta marrë për shqyrtim atë material dëshmues me të cilin dispononim ne dhe ta shohë se çka ka aty. Dhe kjo kështu zgjati një vit e gjysmë, deri sa pas një sërë rrethanash fatlume ia dolëm në krye. Tash, pasi ka kaluar aq shumë kohë, mund të them se raporti në pjesën më të madhe është i mbështetur në atë material të cilin e përgatiti prokuroria jonë dhe i cili atij iu dorëzua në, si t’i quaj, rrethana mjaft jopublike, ndoshta edhe konspirative”, ka thënë Protiç, në intervistën e transkriptuar dhe përkthyer nga Gazeta Express.
Historiani serb tregon se pas publikimit të raportit të Martyt e dinte që do të kishte reagime të ndërkombëtarëve, dhe tregon se Gjykata Speciale është një propozim që del nga raporti i Dick Martyt.
Megjithatë ai thotë se në fillim ishte skeptik se diçka mund të ndodhte, por sot kur është themeluar Gjykata Speciale, është i kënaqur që më në fund një raport i tillë dha një rezultat.
“Sinqerisht, në atë kohë, ai raport u paraqit në dhjetor 2010, nëse më kujtohet mirë, në të punohej nga mesi i vitit 2009, kisha disa pritje se pas publikimit të një raporti të tillë preciz patjetër do të pasojë një reagim ndërkombëtar. Në rekomandimet në fund të atij raporti Dik Marti propozoi themelimin e një gjykate të tillë. Por, zhvillimet e mëvonshme, pas publikimit të raportit, më bindën për të kundërtën dhe më duhet të pranoj, nuk besoja se do të dalë ndonjë gjë nga ajo punë dhe në një masë të madhe e fajësoja ministrin e atëhershëm të punëve të jashtme në Beograd për politikën, apo taktikën e gabuar lidhur me raportin e Dik Martit.
Dhe kjo që ndodhi kohët e fundit më befasoi shumë për të mirë dhe më dha një satisfaksion shtesë se ajo që është bërë para pothuajse 10 viteve megjithatë nuk mbeti pa ndonjë efekt. Qëndrimi im edhe atëherë ishte, edhe para asaj, edhe sot është se pas të gjitha atyre që ndodhën dhe pas tërë asaj që e bëmë pas rënies së Millosheviqit për t’i zbuluar dhe sanksionuar krimet që janë bërë në emrin tonë, e edhe në këtë, siç e di, kam marrë pjesë mjaft, se kemi të drejtë të plotë, edhe morale, edhe politike, edhe ndërkombëtare që të drejtojmë gishtin drejt atyre krimeve që janë të pakontestueshme, për të cilat ka prova të mjaftueshme, e në të cilat viktima ishin serbët, e disa të tjerë ishin fajtorë”, rrëfen ai, raporton Gazeta Express.
Teksa flet për rastin e “Shtëpisë së Verdhë”, Protiç thotë se ndoshta nuk është rasti më drastik, por potencon se për të ka më së shumti prova.
Sipas historianit serb i cili kishte qenë edhe ambasador dhe kryetar i Beogradit, nëse nuk do të ishte ai raport i Prokurorisë Serbe për Krime Lufte, nuk do të ishte as raporti i Dick Martyt.
“Rasti me “Shtëpinë e verdhë” është një nga të tillat. Ndoshta madje nuk është edhe më drastiku, por gjithsesi është ai për të cilin ka më së shumti prova. Po të mos ishin ato prova as Dick Marti s’do ta shkruante një raport të tillë. Sepse, për të mund të themi çfarë të duam, por sigurisht s’mund të themi se ka ndonjë simpati të veçantë për ne dhe se përgjithësisht është tip i personit që vepron në bazë të simpative ose interesave të veta. Kështu që, ja, një lajm i vogël për ne, i bukur dhe i drejtë, se pas aq vitesh për atë që e ka bërë dikush do të thirret në përgjegjësi”, shton Protiç.
I pyetur nga gazetari i televizionit, se a ishte pikërisht Protiç që qëndron prapa gjithë kësaj, ai pohon se nuk mund të qëndronte duarkryq dhe se e konsideronte si sfidë personale të fliste për krimet që ishin kryer në emër të serbëve.
Ai megjithatë thotë se gjithçka që mund të bëjë është që të kërkojë që këto krime të dënohen, njejtë si ato që kishin kryer serbët.
“Një prej tyre, një prej tyre. Ti e di se mua dreqi s’më lë rehat dhe s’mund të rri duarkryq, kjo për mua ishte sfidë edhe personale, pikërisht për arsyen se aq shumë kam folur për krimet që janë bërë në emrin tonë dhe se është detyra ime që tash, kur jam i bindur se dikush ka kryer krimet më të tmerrshme kundër serbëve, unë duhet të bëj krejt çka mundem që kjo njëjtë të sanksionohet dhe të shënohet si ato krimet që i kanë bërë disa nga bashkëkombësit tanë”, përfundon Protiç.