Fjalë Kyçe

Disa refleksione mbi “planin amerikan” të marrëveshjes eventuale Kosovë-Serbi

Disa refleksione mbi “planin amerikan” të marrëveshjes eventuale Kosovë-Serbi

Shkruan: Fehmi Ramadani
Para disa ditësh doli një i ashtuquajtur “Plan amerikan” (kështu e kishin cilësuar mediumet e ndryshme të rajonit) që kishte renditur në detaje “Marrëveshjen eventuale Kosove-Serbi”, të cilat duhet thënë nuk i kishim hasur deri me sot dhe që në të vërtetë krijoi një lloj qartësie te pjesa më e madhe e opinionit tonë, por edhe në anën tjetër krijoi huti te një pjesë e spektrit politik shqiptarë e kosovarë që vërtet angazhohen ekskluzivisht për përfitime politike, karrieriste dhe pushtet.
Ajo për të cilën po shkruajmë këto rreshta është që të analizojmë dhe komentojmë ato pika të cilat u shfaqen si rrufe dhe u përhapen në portalet dhe mediumet e ndryshme informative deri te pozita dhe opozita serbe duke krijuar premisa së gjërat po fillojnë të qartësohen më mirë.
Duke potencuar “se informacioni ishte marrë nga segmente të mirë informuara dhe të besueshme të huaja dhe u shpërnda në formë të fragmentarizuar “, të gjithë neve na zgjoi kërshërinë, na futi në mendime, kalkulime, aludime, analiza dhe veprime që besojmë se janë të drejta dhe secili sipas bindjeve të veta ideologjike qoftë edhe taborreve politike.
-Pika e parë që na ra në sy ishte TEKST I SHKRUAR SHKURT, QARTË dhe në formë TEKNIKE, që na la të mendojmë se me të vërtetë, autorët në këtë rast duhet të kenë qenë profesionist të niveleve të përgaditura politike me karierë të lartë politike dhe kanë hartuar një projekt të këtillë (zakonisht nëpërmjet kanaleve të tyre të inteligjencës) dhe e kanë menduar si të udhës që ta plasojnë në publikun shqiptarë e më gjerë me qëllimin që t’i përafrohet “ Day-D”, që mendohet të jetë mesi i muajit Maj, ose fillimi i muajit Qershor 2019, që përkon me 100 vjetorin e Konferencës së Versajes që mbylli plagët e Luftës së Parë Boterore.
-Pika e dytë që potencohej si koncept ishte: KËTË MARRËVESHJE E KANË PËRPILUAR AMERIKANËT, RUSËT, KINEZËT, ANGLEZËT dhe FRANCEZËT d.m.th të pes shtetet anëtare të përhershme të KESHILLIT TË SIGURIMIT TË OKB-SË , të cilat duhet thënë e vërteta e madhe i kanë në dorë fatet e politikës ndërkombëtare duke anashkaluar GJERMANINË, AUSTRINË DHE TURQINË, si shtete që kanë interese në këtë proces, duke krijuar një balancë tërësisht të RI GJEOPOLITIK, por që kërkon trajtim si temë e veçcantë.
-Pika e tretë që përmbyllte tekstin ishte FIRMOSJA NË FILLIM TË QERSHORIT 2019, që d.m.th firmoset në 100-vjetorin e Konferencës së Versajes që edhe si atëherë SHTETET E MËDHA, SUPERFUQITË BOTËRORE, duan ta zgjidhin këtë NYJE GORDIANE BALLKANIKE, që e rëndon rajonin mbi 100 vjet me një të rënë të Shpates (analog siç veproi Aleksandri i Madh që zgjidhi Nyjen Gordiane me një të rënë të shpatës). Kjo nënkupton, që as shqiptarët e Kosovës, as serbët e Kosovës, as shqiptarët e Serbisë dhe as serbët e Serbisë, nuk do të jenë të lumtur plotësisht, por të kënaqur deri diku, duke iu dhënë një mundësi zhvillimi, emancipimi, kulturimi, arsimimi në të ardhmen dhe brezat e ardhshem ta quajnë të panevojshme “çfarë kanë bërë paraardhësit e tyre “(shikoni dhe analizoni me kujdes ligjërimet e presidentëve Thaçi dhe Vuçiq, që theksojnë se nuk do të jenë të lumtur asnjëra palë deri në fund).
-Nga ana teknike, pikat e prezantuara,të cilat kronologjikisht do t’i shtjellojmë një nga një (përveç njërës pikë) përfshinte këto tematika me nëntematikat e veta:
1.PRESHEVA deri në fshatin KLENIKE i bashkohet KOSOVËS, nëse do ta lexonim në ligjeratë të drejtë, kjo nuk na thotë ndonjë gjë të madhe, por PRESHEVA një qytet i vogel dhe KLENIKE një fshat me pak shtëpi e me ca pleqë serb që mezi mbijetojnë, që as vetë Serbia nuk kujdeset, por nëse futemi në kontekstin e KORRIDORIT 10 dhe SIGURISË USHTARAKE (lexo: Bazave ushtarake), këto dy terma marrin një rendësi të jashtëzakonshme. KLENIKE-në vijen ajrore është larg nga Presheva afër 15 kilometra, me Maqedoninë rreth 7-8 kilometra dhe me Bujanocin diku rreth 11 km. Menjëherë poshtë saj (burimi i informacionit na tregon) se Serbia do ta devijojë KORRIDORIN 10 për të dalë në Kumanovë të Maqedonisë nga trekëndëshi me 2 kilometra: Davidoc-Ristoc-Srpska Kuqa që në kilometra efektiv kjo autostradë e re është më e gjatë vetëm se 9 kilometra më shumë deri në Kumanovë. Financimi i saj në rastin më të mirë do të merrej përsiper nga Serbia, në rastin optimal financimi bëhet nga Bashkimi Europian dhe në rastin me të keq nja haraç shtesë që do ta paguanin janë shqiptarët prapë (bëhet fjalë për një projekt me vlerë rreth 190 milionë euro ), por që në esencë shqiptarët do të përfitojnë segmentin aktual prej 27 kilometrash, të përfunduar tashmë me fondet e Qeverisë së Serbisë ndër vite.
Hekurudha- gjithashtu mund të jetë në tematikë, por duke qenë se e ka humbur rendësinë e saj, mendojmë se anashkalohet kësaj rradhe . Pra në këtë formë edhe serbët edhe shqiptarët kanë mundësi qetësie, lëvizjeje, transporti në kushte të njëjta pa diskriminim.
2. KUFIRI vendoset afer fshatit BILAÇ, duke qenë se do të krijohen 2 Distrikte të mbrojtura dhe me Status Special; si Bujanoca dhe Mitrovica (që në të njëjten kohë lihen si mina me sahat që kjo marrëveshje të funksionojë) fshati që i ndanë dy komunat; Preshevë dhe Bujanoc është Bilaçi dhe në segment fshati Levosojë (ku ditë më parë kishte qëndruar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq duke bërë ndarje etnike të popullates). Pra, ky kufi do të kishte karakter vetëm se ligjor (deri ku do të shtrihej autoriteti i shtetit të Kosoves), ndërsa në fakt do të administrohej nga forcat e NATO-së. Po të përcjellim ligjërimet e politikës së madhe ata flasin për “Luginë të Preshevës” të jemi të drejtë, ky term kurrë nuk ka ekzistuar, është shfaqur tek në vitet 2001-2002, gjeografikisht përfundon në fshatin Bilaç dhe Levosojë.
3. BUJANOCA merrë STATUS SPECIAL, si SPECIAL DISTRIKT- fuqitë e mëdha i bëjnë keto veprime kur deshirojnë të pajtojnë popuj (në një formë, ose në një tjetër na flet historia e qyteteve si Berlini, Strasburi, Gjibraltari, Gdanjski, Hong Kongu, Brçko, Trieshta për disa vite, etj ) që kanë pasur konflikte të përgjakshme në histori, si shqiptarët me serbët jo për ndonjë gjë, por duke iu lënë ura bashkepunimi për të ardhmen. Në përgjithësi këto lloj qytetesh marrin FONDE dhe INVESTIME shumë të mëdha si të shteteve të mëdha, por edhe të shteteve amë (Serbia, Kosova dhe Shqipëria) duke pasur një standart shumë më të lartë. Për Bujanocin parashikohet një trajtim i veçantë, sepse struktura e popullsisë është akoma shumë e përzier(60 me 40 në favor të shqiptarëve), në një farë forme do të paraqiste një lloj problemi për serbët lokal, prandaj barazia do të jetë e garantuar.
4. MITROVICA merrë STATUS SPECIAL, si SPECIAL DISTRIKT -jo më kot Kuvendi Komunal ka kaluar vendimin për unifikimin e qytetit të Mitrovicës, sepse i tërë qyteti, Veriu dhe Jugu do të bashkohen në këtë STATUSIN SPECIAL . “Burimi si mesazh” na le të kuptojmë se ADMINISTRATORI të paktën për 20 vite do të jetë i huaj, do të demilitarizohet e tërë zona dhe investimet do të jenë kolosale nga Kompanitë e huaja multinacionale që tërë zonës do t’i sjellë një prosperitet shumë të mirë. Mitrovica mbete nën juridksionin e Kosovës, por me status special për dy pjesët e saj. Detajet tjera vështirë të parashikohen në këtë fazë, por mendohet që do të integrohet me zor, ose me qejf brenda një periudhe kohore të arsyeshme.
5. Nga 6 deri ne 8 fshatra të MEDVEGJËS i bashkohen KOSOVËS- kjo nënkupton Medvegja mbetet nën Serbi dhe po të shikojmë hartat dhe popullsinë lokale, pikat strategjike mund të identifikojmë me fshatrat që mund t’i bashkohen Kosovës, por që me informacionet e tanishme do të ishte spekulim i pastër informative.
6. KORRIDORI 10-do të shpallet “Rrugë e Mbrojtur Ndërkombëtare”, kjo do të bëhet për shkak se segmentit të përmendur i duhen 1 deri 3 vite derisa të kompletohet, prandaj i tërë segmenti do të jetë “i lirë” dhe “i mbrojtur”, “ i sigurtë” dhe “i kalueshëm”, për të gjithë, ndërsa pika e kalimit kufitar TABANOCE do të jetë pikë kalimi kufitare e integruar, e menaxhuar nga administrata e huaj, për të siguruar mosdiskriminimin e asnjë personi që kalon aty (aty kalojnë tërë popujt e Europës për në Greqi dhe Turqi e tutje). Pas një periudhe kohore 3-5 vjeçare mendohet që t’i kalojë palës së Kosovës, derisa Serbia do ta ketë segmentin e vetë në krahun tjetër nëpër fshatin KLENIKE.
7. Liqeni UJMANIT (GAZIVODA)-do të privatizohet për 99 vite, ky liqe është ndërtuar nga një kredi e marrë nga ish-Jugosllavia, në institucionet financiare në Klubin e Parisit dhe Londrës. Përjashto propaganden serbe që trumbeton se është kthyer kredia, ajo në fakt nuk është kthyer dhe është blerë në vitin 2000 nga një Kompani angleze emri i së cilës nuk thuhet, por nënkuptohet që sot ka vlerën e disa miliardave eurove. As Serbia, e as Kosova atë borxh nuk e kthejnë dot, as nuk e kontrollojnë dot liqenin në tërësi, prandaj do t’i lihet kësaj Kompanie administrimi dhe pronësimi për 99 vite. Kosovës, gjithashtu do t’i lihen rreth 1.5 deri 2 km të pjesës fundore të liqenit nën suverenitetin e saj ligjorë. Pra, edhe Liqeni i Ujmanit në një formë do të ketë statusin special.
8. TREPÇA- do të privatizohet për 99 vite (Kompani amerikane, franceze, kineze dhe ruse ) dhe statusi i Trepçës është ngrirë që në vitin 1922-1924, kur është bërë e mundur njohja me pasuritë dhe rëndësinë e saj. Konglomerati i atëhershëm ishte i përbërë nga Kompani të shteteve të sipër cituara, plus Mbrëteria SKS, dhe si e tillë, përveç asaj të kthehet në gjendjen fillestare, nuk ka rrugë zgjidhje tjetër. Dokumentet arkivore, rrjedhat e histories tregojnë që ky resurs i natyrës do të shfrytëzohet më së shumti nga këto shtete, natyrisht që edhe Serbia dhe Kosova do të përfitojnë në proporcion 30% me 70% në favor të buxhetit të Kosovës nga ky eksploatim 99 vjeçarë. Tjetër zgjidhje për te nuk shihet në horizont, përveç përfitimit të të gjithëve.
9. KISHAT SERBE-do të përfitojnë “Pavarësi dhe Ekstrateritore”, kuptohet nëse nisemi nga diskursi politik i Vuçiqit i dy viteve të fundit, përfundimisht Serbia është e gatshme të heq dorë nga miti i Kosovës i krijuar me shekuj, me kushte që të sigurohet një periudhë tranzitore e butë disa vjeçare, që nënkupton pikërisht këtë që serbet “të mos ndihen të poshtëruar “ (fjalia që më së shpeshti e përdorë Vuçiq). Kjo nënkupton edhe një lloj sigurie për serbët që do të mbeten nën administrimin e Kosovës dhe pjesës dërmuese shqiptare. Ky status, në esencë shqiptarëve nuk do t’i pengonte, sepse nuk është relevant në diksursin politik dhe atë amerikan si i tillë .
10. Pjesa që shkon me Serbi janë: ZVEÇAN, ZUBIN POTOK DHE LEPOSAVIQ (këtu nuk përfshihen 7 fshatrat shqiptare të këtij rajoni). Këtë më askush nuk e vë në dyshim, territor i dominuar mbi 95% nga serbët (sikunder Presheva me mbi 95%), prandaj natyrshëm, me të drejtën e Vetvendosjes këto tri Komuna i bashkohen Serbisë, por në të njëjtën kohë hiqet ASOCIACIONI i Komunave serbe në Kosovë (Plani i Ahtisarit plus nuk vlen, të drejtat e dyfishta të serbëve nuk merren parasysh), sepse më nuk ka fuqi relevante ligjore. Kosova me këtë shkëmbim me Luginën e Preshevës humb pak kilometra katrorë, por ky është çmim më i lirë që duhet paguar kosovarët për hirë të shkrirjes së gjendjes së status quos dhe inkuadrimeve euro-atlantike.(Hashim Thaçi, deklaratë në SHBA) .
11. KOSOVA- do të njihet nga Serbia me emrin KOSOVO(në rastin specifik Kosovo i Metohija, kjo vlen vetëm për Serbinë). Serbia do të preferonte ta pranonte termin KOSOVA I METOHIJA (Tokë e Kishës ) dhe ndoshta paradoksalisht emri mund të jetë konteksti më i madh mes dy shteteve që po njihen, prandaj pala shqiptare duhet të ketë kujdesë edhe një variant B, psh. të propozojë shteti i ri të quhet DARDANIA, në mënyrë që Serbisë t’i hiqen të gjitha mundësite historike dhe ligjore mbi atë që ata e quajnë “zemra e Serbisë”. Në këtë pikë pala kosovare duhet të jetë shumë vigjilente, sepse shpeshherë në histori kemi raste që emrat janë bërë shkas për konflikte dhe luftëra nëmes perandorive, shteteve dhe kombeve.
12. Forcat e NATO-së do të marrin mandat 33 vjeçarë, ky mandat është për të siguruar terrenin nga Aleanca e NATO-së që të dy popujtë të përafrohen, të zhvillohen dhe të integrohen, ndërsa në esencë vlerësoj se ky mandat nuk përfundon KURRË, pasiqë SHBA-të dhe MBRETERIA E BASHKUAR kanë identifikuar Kosovën dhe Shqipërinë (shqiptarët), si popullin më aleat në Europë. Në këtë kontekst e vleresoj që burimi i informacionit ka futur pikën vijuese ku përmend tri bazat e Nato-së (Bondsteel, Kuçova dhe Vlora ), por që kjo kërkon një analizë të veçantë me të cilën do të sqarojmë ditëve në vijim.
13. Baza “JUG “-CEPOTINE në Bujanoc do të hyj në Kosovë, kjo kalon nën administrimin e NATO-së dhe do të jetë bazë tokesore dhe logjistike për të siguruar një sërë detyrash dhe çështjesh si pasoje e kësaj marrëveshjeje e që duhet thënë nuk janë të pakta.
14. Firmoset TRAKTATI I MIQËSISË KOSOVË-SERBI- Falen reparacionet dhe dëmet e luftes, një përfundimi logjik i këtij konglomerati vendimesh, çeshtjesh, interesash ekonomike dhe ushtarake të fuqive të mëdha, tendencave dominuese, sidomos në burimet energjitike në rajon dhe më gjerë, rrugëve detare, tokësore dhe ajrore, pikave strategjike, etj etj që do ti bëjë palët shqiptare dhe ate serbe, që këto dy dokumente ti firmosin pa bërë asnjë koment shtesë mbi te, thjeshtë do të jenë të lumtur që e firmosen.
Nga ky dokument nxjerrim konkluzionet e mëposhtme:
a). Nga Konferenca e parë e Versajes deri tani kanë ndryshuar rrënjësishtë interesat gjeostrategjike, ekonomike, politike dhe ushtarake, kanë ndryshuar faktorët dhe actorët, ndërsa lojtarët e vegjël kanë mbetur të njëjtë, si atëherë edhe tani pa i hyrë ligjërimeve politike dhe patriotike të shumë e shumë personave publik e politik, tregon që në fund të fundit “Bota e Civilizuar” po mendon të riparoj sadopak tragjëdinë e NJë Shekulli më parë kur i ndau shqiptarët, por në të njëjtën kohë nuk po përsëriten gabimet e veta ekonomike dhe ushtarake të kohës. Por, sot secila palë ka kapur njërin lojtarë të vogël dhe e shfrytezojnë sipas një interesi të projektuar për 100 vitet e ardhshme.
b). Krijimi i dy distrikteve special bënë të mundur që prapë dy popujtë në armiqësi, sot të bëjnë ura bashkëpunimi për gjeneratat e reja, ndërsa në rastin më të keq, Mitrovica e Veriut do t’i bashkohet Serbisë, kurse Mitrovica e Jugut Kosovës, me një URE dhe MUR ndarës në mes veti, por që do ta “libanizonte” dhe “palestinizonte”gati tërë rajonin (e njëjta gjë vlene edhe për Bujanocin). Prandaj, skenari me URA dhe MURE është i pranueshem për serbët dhe rusët, por jo edhe për shqiptarët dhe SHBA-të.
c).Futja e Kompanive të mëdha në Ujman dhe Trepçë do t’i jepte hov investimeve në rajon, sidomos në kontekst të projektit “TAP” (Trans-Adriatic-Pipeline)që do ta bënte regjionin shumë të fuqishëm në burimet energjitike dhe të domosdoshëm për pjesën tjetër të Europes. Kjo do t’i mundësonte shqiptarëve të Kosovës, por edhe serbëve të ndjehen me më shumë dinjitet dhe të zhvilluar, më të vlerësuar dhe aspak inferior ndaj europiano-lindorëve.
d).Gjermania është në lojë vetem se në pjesën e Serbisë, prandaj jo me kot investimet me miliarda i bënë në Serbi dhe asgjë në Kosovë, apo Shqipëri (përveç investimeve nga fondet e BE-së, qe me naivitet shqiptarët i trajtojnë si fonde gjermane).Gjermnania fatkeqësisht është kundër këtij koncepti amerikan të zgjidhjes së problemit të Kosovës. Ajo më shumë po brengoset për të drejtat e serbëve të Kosovës duke I rritur deri në stadin e ZAJEDNICES, kurse për shqiptarët e Luginës së Preshevës, për të drejtat e tyre të diskriminuara as që mërzitet)
e). Më fund, kjo pjesë e ngushtë dhe e vogël e Europës arrinë qetësinë dhe sigurinë aq shumë të ëndërruar prej largimit të Perandorisë Osmane, në të njëjtën kohë ndan ndikimin amerikano-britanik-francez nga ndikimi ruso-gjerman.
f). Politika mbarëshqiptare duhet që të punojë në këtë moment historik, t’i lëjë menjanë ligjërimet e kota, patriotike dhe demagogjike, për interesa të ngushta partiake, por të krijojnë një MOMENTUM TE RI HISTORIK për të tashmen dhe të ardhmen e gjeneratave të shqiptarëve dhe të tjerëve që do të vijnë pas.