Fjalë Kyçe

Disa semaforë në Prishtinë jashtë funksionit, banorët ndihen të rrezikuar

Disa semaforë në Prishtinë jashtë funksionit, banorët ndihen të rrezikuar

Me situata jo të lehta u duhet të ballafaqohen qytetarëve të kryeqytetit në lagjen “Qafa’’, si pasojë e mosfunksionimit të semaforëve.

Mosfunksionimi i tyre, sipas qytetarëve në këtë pjesë të Prishtinës, paraqet problem duke pasur parasysh fluksin e madh të automjeteve.

Ata janë të shqetësuar me gjendjen, ndërkohë që nuk përjashtojnë mundësinë e ndonjë aksidenti si pasojë e këtij problemi, raporton KOHA.

Sipas banorëve të kësaj zone, problemi me semaforët ekziston për më shumë se një muaj, ndërkohë që janë ankuar në Komunë, porse ankesat nuk janë marrë parasysh.

Por, nuk është vetëm lagjja “Qafa’’ që përballet me problemin në fjalë.

Një tjetër pjesë e qytetit ku semaforët janë jashtë funksionit është edhe zona që lidh lagjen ‘’Kalabria’’ me pjesën tjetër të qendrës. Sipas kalimtarëve dhe qytetarëve të kësaj pjese, semaforët këtu janë jashtë funksionit për më shumë se një javë.

Përveç këtyre dy lagjeve, edhe një pjesë e semaforëve në lagjen “Aktash’’ të kryeqytetit ka mbetur pa semaforë aktivë.

Ndërkohë që për mosfunksionimin e tyre, pyetjeve dhe thirrjeve të televizionit nuk u janë përgjigjur zyrtarët komunalë.