Fjalë Kyçe

Distria po i afrohet pozitës së parë në ranglistën e përgjithshme

Distria po i afrohet pozitës së parë në ranglistën e përgjithshme

Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi ka mbajtur pozitën e parë në ranglistën botërore në kategorinë deri 48 kilogramë.

Falë medaljes së artë në Evropianin e Lisbonës, javën e kaluar, Distria ka rritur diferencën e pikëve me ukrainasen Daria Bilodid. Distria udhëheq në ranglistë me 9265 pikë, ndërsa Bilodid është e dyta me 8385 pikë.

Distria do të jetë bartësja e parë në Botëror e me shumë mundësi edhe në Lojërat Olimpike. Derisa me formën aktuale Distrisë nuk i rrezikohet pozita e parë në kategori, ajo po marshon sigurt edhe drejtë pozitës së parë në ranglistën e përgjithshme.

Pra në ranglistën e të gjithë xhudistëve e xhudisteve në të gjitha kategoritë. Prej vendit të tretë, 25-vjeçarja ka kaluar në vendin e dytë. Udhëheq francezja Clarisse Agbegnenou me 9510 pikë.

Pra Distria me 9265 pikë ka gjasa reale për ta kaluar francezen e kategorisë deri 63 kilogramë.

Dalja në vend të parë do të ishte një tjetër sukses i madh i xhudistes kosovare. Majlinda Kelmendi ka mbajtur vendin e pestë në ranglistën e kategorisë deri 52 kilogramë, ndërsa Nora Gjakova vazhdon të jetë e katërta në kategorinë deri 57 kilogramë.

Avancim të madh ka bërë Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë. Ajo ka avancuar për tetë pozita falë vendit të pestë në Evropian dhe tani është e 42-ta. Loriana Kuka ka humbur një pozitë në kategorinë deri 78 kilogramë dhe tani është e teta.

Ndërkohë Akil Gjakova ka fituar një pozitë në kategorinë deri 73 kilogramë. Tani është i shtati. Akili, njëjtë si Distria fitoi titull evropian. Ranglista botërore formohet në bazë të pikëve që fitohen me sukses nëpër gara.