Fjalë Kyçe

Dita e futbollit, Kosova kërkon ta nisë mbarë ëndrrën EURO 2020

Dita e futbollit, Kosova kërkon ta nisë mbarë ëndrrën EURO 2020

Të gjitha rrugët sonte dërgojnë në stadiumin Fadil Vokrri. Kombëtarja jonë e futbollit nis rrugëtimin për ëndrrën EURO 2020, shkruan Gazeta Alo.

Djelmoshat tanë zhvillojnë ndeshjen me Bullgarinë, të parën në kuadër të grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Ndeshja që zhvillohet prej orës 20:45 ka zgjuar kërshëri të madhe, sidomos pas lojës së mirë dhe barazimit 2:2 të “Dardanëve” në miqësoren me Danimarkën, të luajtur të enjten në stadiumin Fadil Vokrri.

Stadiumi si zakonisht do të jetë i stërmbushur, pasi biletat janë shitur ‘online’ për më pak se 25 minuta.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ka vlerësuar lartë kundërshtarin.

“Nëse luajmë mirë, kemi mundësi t’i marrim tri pikët, por duhet ta dimë se do të jetë ndeshje krejt ndryshe nga ajo me Danimarkën. Tani kemi para vetes një ndeshje kualifikuese dhe bullgarët janë shumë agresivë dhe kanë futbollistë me përvojë”, ka thënë Challandes në konferencën para ndeshjes.

Mesfushori Hekuran Kryeziu ka theksuar se me ndihmën e tifozëve do të synojnë të marrin pikët e plota.

Krahas Kosovës dhe Bullgarisë, grupin 1 e përbëjnë edhe Anglia, Republika e Çekisë dhe Mali i Zi. Dy të parat kualifikohen për në EURO 2020./Gazeta Alo