Fjalë Kyçe

Dj argjentinas kërcënohet me vdekje, fansat e akuzojnë se e infektoi Messin me koronavirus

Dj argjentinas kërcënohet me vdekje, fansat e akuzojnë se e infektoi Messin me koronavirus

DJ argjentinas Fer Palacio është kërcënuar me vdekje pasi fansat mendonin se ai ishte arsyeja pse Lionel Messi u infektua me Covid-19.

Ai ndau një video-mesazh përmes Instagramit më 2 janar, duke thënë se tifozët e futbollit po e fajësojnë atë për situatën e Messit pasi të dy u panë duke festuar së bashku javën e kaluar, njofton Klankosova.tv.

Palacio mes tjerash shkruan:

”Unë jam një trend në twitter sepse Messi doli pozitiv për Covid-19. Ata më tregojnë këtë duke thënë se unë e infektova atë. Madje më quanin ‘vrasës’. Kam shumë mesazhe private shumë të këqija”, është shprehur ai.

Fer Palacio u kërkoi tifozëve që të ndalojnë akuzat, duke thënë se është e pamundur që ai t’i ketë dhënë virusin Messit pasi ai nuk e ka.

Duke treguar një foto të testit negativ, ai tha se u testua një ditë më parë përpara se të udhëtonte për në Uruguai.

Ylli i futbollit aktualisht është i izoluar dhe ekipi i tij konfirmoi më 2 janar se ai dhe tre shokë të tjerë të skuadrës janë infektuar me virus.

Messi gjithashtu ndau disa fjalë inkurajuese përmes mediave sociale në fillim të vitit 2022.