Fjalë Kyçe

Djokovic ngec në aeroport, nuk i lejohet hyrja në Australi

Djokovic ngec në aeroport, nuk i lejohet hyrja në Australi

Odisea e Novak Djokovic për të luajtur në “Australian Open” do të jetë më e gjatë sesa mendohej. Pasi tenisti serb tha se ka marrë rekomandim mjekësor për të mos bërë vaksinën, shpërthyen shumë polemika mes autoriteteve të vendit, madje edhe vetë kryeministri ndërhyri në këtë çështje.

Por, numri 1 i tenisit botëror ka probleme të tjera në aeroportin e Melburnit. Mediat australiane thonë se Djokovicit nuk i është lejuar hyrja në vend, pasi qeveria e Victorias ia ka mohuar këtë gjë për një parregullsi në vizë.

Ministrja e Sportit e Shtetit të Victorias, Jaala Pulford, u tregua e prerë: “Nuk do të lejojmë Novak Djokovic për të marrë një vizë individuale që të luajë “Australian Open”. Aprovimi i vizave varet nga Qeveria Federale dhe përjashtimet mjekësore janë punë e mjekëve”, përcjell a2cnn.

Më parë, kryeministri i Australisë, Scott Morrison, kishte kërkuar nga tenisti serb që të shpjegojë rekomandimin mjekësor dhe nëse nuk do të jetë bindëse arsyeja që nuk është vaksinuar, do të kthehet në shtëpi menjëherë.

“Për Novak Djokovic nuk do të ketë rregulla të tjera”, theksoi Morrison.