Fjalë Kyçe

DnV: Fshirja e lehtë e ngjyrës matrikuluese paraqet problem

DnV: Fshirja e lehtë e ngjyrës matrikuluese paraqet problem

Organizata “Demokracia në Veprim” ka vlerësuar se procesi i votimit në Kosovë deri në mesditë ka qenë i qetë, pa ndonjë parregullsi apo incident serioz.

Eugen Cakolli nga DnV ka thënë se shqetësuese mbetet që ka votues që nuk kanë gjetur emrat e tyre kur janë paraqitur në vendvotime.

Ndërsa, ritheksoi se problem po mbetet fshirja e lehtë e ngjyrës matrikuluese te votuesit, “problem që mund të ndikoj dhe t’i hapë rrugë votimit të dyfishtë”.

“Vështirësi për të gjetur emrat e votuesve nga votuesit janë nga parregullsitë kryesore që kanë karakterizuar mbi 50% të vendvotimeve. Shqetësues mbetet që kemi 6% të vendvotimeve ku numri i votuesve që nuk e kanë gjetur emrin në listën e votuesve arrin në 50 sosh”, ka thënë ai.

Cakolli ka shtuar se ka pasur raste të fotografimit të votës.

“Sa i përket fotografimit të votës, ky fenomen është ende prezent. Deri në 12:00 kemi pasur raste të izoluara të fotografimit të votës në 4% të vendvotimeve. Sa i përket incidenteve, 4% e vendvotimeve kanë hasur probleme qoftë procedurale apo një natyre tjetër serioze”.

E, ai ka ngrehur edhe një shqetësim lidhur me vendosjen e kabinave të votimit.

“Ka pasur raste të shtuara kur persona të identifikuar si staf i KQZ-së u kanë kërkuar këshillave të vendvotimeve që t’i vendosin kabinat e votimit përballë njëra-tjetrës, duke iu kthyer modelit që ne e patëm kundërshtuar e për të cilin ka vendim të KQZ-së se i njëjti përbën shkelje”.