Sipas raportit të vëzhgimit të zgjedhjeve “zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2019”, që të martën është publikuar nga Demokracia në Veprim, subjektet politike në pushtet, pa dallim ndërmjet nivelit qendror dhe lokal, kanë keqpërdorur resurset publike për qëllime të fushatës zgjedhore.
“Në mbi 10 për qind të aktiviteteve te fushatës të monitoruara nga DnV-ja është evidentuar keqpërdorimi i veturave zyrtare dhe shërbyesve civil/publik”, thuhet në raportin e DnV-së, raporton Koha Ditore.
Subjektet politike në pushtet, sipas DnV-së, pa dallim ndërmjet nivelit qendror dhe lokal kanë keqpërdorur resurset publike për qëllime të fushatës zgjedhore dhe se në gjithsej 787 aktivitete të monitoruara janë shpenzuar rreth 3,6 milionë euro nga partitë politike.
Përveç LDK-së, të gjitha partitë e tjera kanë respektuar tavanin e shpenzimeve për fushatë zgjedhore.
Në gjithsej 787 aktivitete të monitoruara janë shpenzuar rreth 3,6 milionë euro.
Sipas DNV-së, KQZ-së iu janë dashur rreth 53 ditë për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve.
Teksa u bënë publike edhe numri i aktiviteteve zgjedhore nga partitë politike, ku prinë PDK me mbi 200 sosh, e po ashtu disa statistika të tjera rreth procesit zgjedhor.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu tha se procesi zgjedhor ka qenë nën frymën demokratike.
Ndërsa, ambasadori gjerman, Christian Held duke vlerësuar të mirë procesin zgjedhor të 6 tetorit kërkoi mes tjerash edhe reformë zgjedhore për t’iu shmangur vonesave.