Asnjë telefon nuk lejohet kur takoni Volodymyr Zelenskyn, ose ndonjë gjë tjetër që mund të tregojë vendndodhjen tuaj, i tillë është shqetësimi pasi ai mund të jetë në shënjestër të Rusisë.
Presidenti ukrainas dha sot një intervistë për BBC, ndërsa gazetari Joel Gunter përshkruan takimin.
“E takuam sot në mëngjes, në ditën e 50 të pushtimit rus. Pas kontrolleve të shumta të sigurisë dhe një shëtitjeje të gjatë nëpër korridoret e errësuar të një godine të fortifikuar qeveritare në kryeqytet, të shoqëruar nga roje të armatosura, na çuan në zyrën e presidentit.
Kur mbërriti, Zelensky ndërpreu pothuajse menjëherë një telefonatë me presidentin francez, Emmanuel Macron. “Do të më duhet t’ju telefonoj më vonë, jam me BBC-në”, tha ai. Sipas Zelensky, të dy kanë marrëdhënie miqësore.
Ndërveprimet me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson dhe presidentin amerikan Joe Biden ishin më formale, tha Zelensky, por ai ishte mirënjohës për furnizimet e tyre me armë. “Ata po përpiqen të ndihmojnë dhe po ndihmojnë”, tha ai. “Por ne kemi nevojë për to sa më shpejt”, shtoi më tej.
Çështja më e ngutshme që Zelensky dëshironte të diskutonte ishte vendet evropiane që vazhdonin të paguanin për naftën ruse, nga e cila Rusia fiton miliarda çdo javë. Blerësit “po i fitonin paratë e tyre nga gjaku i njerëzve të tjerë”, tha ai.
Kur intervista mbaroi, Zelensky falenderoi të gjithë dhe shpjegoi se duhej të vazhdonte. Ai kishte shumë punë për të bërë.