Një dozë e tretë “përforcuese” e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit ofron një reagim të fortë imuniteti, tregon një studim i Universitetit të Oksfordit, i botuar të hënën.
Ekspertët thonë se deri tani nuk ka shenja se do të jetë e nevojshme një dozë e tretë. Vaksina është rezultat i një bashkëpunimi mes Universitetit të Oksfordit dhe firmës AstraZeneca.
Një studim i Universitetit të Oksfordit tregon se një dozë e tretë e vaksinës forcon reagimin e antitrupave dhe qelizave T, ndërsa doza e dytë mund të shtyhet deri në 45 javë dhe po ashtu çon në përmirësime të mira të sistemit imunitar.
“Të dhënat sugjerojnë se mund ta përdorim vaksinën në një fushatë përforcuese nëse do të ishte e nevojshme”, tha Teresa Lambe, profesoreshë e imunologjisë dhe vaksinave në Universitetin e Oksfordit.
Qeveria Britanike ka thënë se po shqyrton planet për një fushatë vaksinash përforcuese në vjeshtë, ndërsa tri të pestat e të rriturve tashmë kanë marrë të dyja dozat e vaksinës kundër koronavirusit.
“Të dhënat për efikasitetin po tregojnë se këto vaksina kanë ndikim të madh duke parandaluar shtrimin në spital. Ka shumë vende të botës që ende nuk kanë marrë asnjë dozë ndaj këto vaksina duhet të shkojnë tek ato vende. Për momemntin nuk kemi të dhëna që do të na nevojitet një dozë e tretë”, u shpreh Lambe.
Studimet e mëparshme kishin treguar se vaksina AstraZeneca, e krijuar nga Universiteti i Oksfordit, ka efikasitet më të lartë kur doza e dytë shtyhet me 12 javë, në vend të katër javëve.
Hulumtimi i bërë publik të hënën, u bazua në prova me 30 pjesëmarrës të cilët morën një dozë të dytë të vonuar dhe 90 të tjerë, që morën një dozë të tretë të vaksinës.
“Po vëmë re se doza e tretë e vaksinës e rrit nivelin e antitrupave edhe më lart se niveli që vihet re pas dozës së dytë”, shtoi profesoresha Lambe.
Të dhënat kanë treguar se dy dozat ofrojnë mbrojtje të mirë kundër sëmundjeve të rënda të shkaktuara nga varianti Alfa i virusit i cili nxiti një valë të dytë infektimesh në Britani dhe variantit Delta i cili dominon aktualisht.
Gjatë fundjavës, Universiteti i Oxfordit nisi një provë të një varianti të vaksinës që e ka prodhuar vetë kundër koronavirusit, e cila është modifikuar për të vepruar më mirë ndaj variantin Beta, i identifikuar së pari në Afrikën e Jugut. Ky variant është më shqetësuesi për prodhuesit e vaksinës si rezultat i mundësisë për t’iu shmangur sistemit imunitar. \Voa