Drejtori ekzekutiv i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke ka thënë se Manchester United do të kishte nënshkruar me Erling Haaland nëse ata do të pranonin të përfshinin një klauzolë blerjeje në kontratën e tij.
Haaland mbajti bisedime me të dy klubet kur u largua nga RB Salzburg përpara se të zgjidhte përfundimisht gjermanët.
Watzke beson se ata nuk do të kishin nënshkruar me Haalandin nëse nuk do të kishin rënë dakord për klauzolën e blerjes prej 75 milionë eurosh, e cila hyn në fuqi këtë verë.
“E vërteta është se ne i dhamë atij një klauzolë blerjeje. Po të mos ia kishim dhënë, ai do të kishte shkuar në Manchester United”, ka thënë fillimisht Watzke për Ruhr Nachrichten, transmeton telegrafi.
Megjithatë, tani, rivali i Djajve të Kuq, Manchester City është gati të nënshkruajë me sulmuesin norvegjez, pasi thuhet se ka tashmë marrëveshje personale.
“Ai ka një vendim për të marrë, ai vendim do të vijë përfundimisht”.
“Por, unë jam i sigurt se do të gjejmë Haalandin e ri. Ne kemi nevojë për Haalandin e ri”, përfundoi drejtori i Dortmundit.