Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkarkuar sot drejtorin e burgut të Prizrenit, Heset Loku dhe atë të Pejës, Arif Beqa.
Haxhiu ka thënë se deri te ky vendim erdhi për “shkak të fshehjes së ngacmimit seksual ndaj një të miture”.
Por, Loku dhe Beqa mohojnë kategorikisht se arsyeja e vërtetë e shkarkimit të tyre nuk është kjo që e dha ministrja.
Madje, Loku për Klankosova.tv tha se ministrja Haxhiu edhe më herët publikisht e pati paralajmëruar se do ta heqë nga pozita e drejtorit.
“E kam pranuar vendimin për shkarkim përmes e-mail. Ky vendim është i pabazuar dhe s’e ka asnjë argument. Është vendim politik, tendencioz dhe pa kurrfarë baze. E kam pritur shkarkimin. Gjatë vizitës kur ka qenë, ministrja Haxhiu ma ka shprehur publikisht se duhet të jetë drejtor tjetërkush. Asnjë argument s’e ka, sepse unë e kam proceduar rastin dhe i kam njoftuar organet relevante. E kam mbrojtur interesin më të mirë të të miturës”.
Ngjashëm e ka cilësuar vendimin e Haxhiut edhe Beqa.
“Më kanë informuar për shkarkim. Ky vendim është totalisht i padrejtë. Unë jam i pafajshëm, sepse e kam proceduar dhe raportuar rastin. Vendimi s’ka të bëjë asgjë me mua dhe arsyeja që e ka dhënë ministrja nuk është e vërteta. Ma mirë të më kishin thënë shko të shtëpia sesa që më larguan për këtë arsye. Jam i shokuar dhe befasuar, sepse jam plotësisht i pafajshëm. Më vjen keq për krejt këtë kontribut që e kam dhënë ndër vite”, ka thënë Beqa.