Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se në rastin e njohur si ‘Drenasi’ ka edhe të tjerë zyrtarë policorë që janë të dyshuar.
Sipas Qalajt ai ka kërkuar nga Inspektorati Policor informata nëse mund të marrë masa për rikonstruktimin e Policisë se Kosovës në drejtorinë në Drenas, raporton Koha Ditore.
“Më kanë thënë mos me prek asgjë se nuk është duke u hetuar vetëm një individ në polici por ka hetim me të gjerë’ , ka thënë Qalaj.
Kujtojmë se i përfshirë është polici hetues Vesel Veseli.
Qalaj është duke raportuar në Komisionin për Siguri në Kuvendin e Kosovës. Ai e ka përshkruar të qetë situatën e sigurisë. Është ndalur tek rasti i vrasjes së Valbona Markaj dhe vajzës së saj nga bashkëshorti, Pjetër Markaj i cili tashmë është dënuar me burgim të përjetshëm.
Sipas Qalajt ky rast e ka vetëdijesuar Policinë e Kosovës për trajtimin e rasteve të tilla. Ai ka folur edhe për ligjin që do të rregullonte pensionimin e zyrtarëve policor.
Përkundër kostos financiare që sipas Qalajt mund të këtë ky ligj, kalimi i tij është i domosdoshëm për këtë institucion.
Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka kërkuar sqarime nga Qalaj se ku ka shkuar çështja e ristrukturimit. Ai e ka pyetur edhe për çështjen e gradimeve në Policinë e Kosovës. Selimi e ka pyetur edhe për policin Afrim Karaxha i cili është suspenduar nga detyra me dyshimet që ka informuar mediat për përfshirjen në një rast penal të djalit të shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni. Qalaj ka thënë se Karaxha është suspenduar jo për dyshimet se ka informuar mediat por për qasje në informata konfidenciale.