Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka mbajtur një konferencë për media lidhur me menaxhimin e pandemisë dhe vaksinat, raporton Zeri.info.
Dreshaj ka kërkuar nga Qeveria dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia që në një afat sa më të shkurt të sigurohet vaksina për të gjithë qytetarët e vendit.
“Në kohën e mbylljes së gastronomisë dhe të karantenizimit parcial të vendit, në kohën kur mbi 15 mijë vetë janë vaksinuar jashtë vendit dhe në kohën kur vetëm gjatë ditës së djeshme qytetarë e madje edhe pushtetarë lëshuan vendin në drejtim të Shqipërisë, ne si AAK kërkojmë prej qeverisë dhe ministrit Vitia që në një afat sa më të shkurtë që të sigurohet vaksina për mbarë popullatën”, tha ai.
Ai po ashtu ka kërkuar që të bëhet publik plani për menaxhimin e pandemisë dhe se siç thotë ai sa më parë të shfrytëzohet buxheti i paraparë për blerjen e vaksinave.
“Kërkojmë që të bëhet publike plani për menaxhimin e pandemisë dhe vaksinimit. Kërkojmë që menjëherë të shfrytëzohet buxheti i paraparë për blerje të vaksinave. Plani nëpër komuna duhet të komplimentohet me informimin e qytetarëve për vaksinim. S’ka logjikë që njerëzit të hezitojnë për të marrë vaksinën”, ka thënë Dreshaj.
Ndërkaq, deputeti i AAK-së i rekomandon qeverisë që të kontaktojnë me vendet mike për sigurimin e vaksinës, teksa ka kërkuar nga ministri Vitia që të bashkëpunojë me ministrat paraprak në menaxhimin sa më të mirë të pandemisë.
“I rekomandojmë qeverisë që të kontaktojnë vendet mike për sigurimin e sasive të nevojshme të vaksinës qoftë ai me rrugë zyrtare apo me shfrytëzimin e personave publik me ndikim në këto vende. Ministri Vitia të bashkëpunojë me ministrat paraprak të shëndetësisë, me Zemajn dhe Ismailin. Populli ka nevojë për vaksinim masiv”.
“Hezitimi për marrjen e vaksinës ndodh gjithkund. Shpesh herë paqja sociale blehet përmes dezinformatave që plasohen. 20 mijë vaksina është si një pikë ujë në detë. Unë mendojë që nuk është bërë bashkimi i forcave ndërmejt promovimit të vaksinës dhe sigurimit të saj që popullata të ketë informatën e duhur lidhur me efektet anësore”, ka përfunduar Dreshaj.