Fjalë Kyçe

Dy skenarët për president, sipas Qorrollit, i treti e çon vendin në zgjedhje

Dy skenarët për president, sipas Qorrollit, i treti e çon vendin në zgjedhje

Analisti Vigan Qorrolli vlerëson se kandidatura e shpallur nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, është më shumë presion për partnerin e koalicionit, LDK, në mënyrë që të vihet deri aty që posti i kryeministrit të vihet në Pazar.

Ai në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se janë dy skenarë rreth postit të presidentit, që mund të mbetet tash i lirë me dorëheqjen eventuale të Hashim Thaçit ose pas tetë muajsh kur t’i përfundojë mandati. E skenari i tretë, siç ka thënë ai mund të aktvizohet nga Haradinaj, “duke e kallur lojën” dhe duke bërë që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Në këtë moment, Haradinaj ka shpallur kandidaturën thuajse tetë muaj pa mbaruar mandati kushtetues i presidentit Thaçi. Janë dy skenarë të mundshëm, ose Hardinaj e di që Thaçi do të japë dorëheqjen brenda pak ditësh ose javësh, ose po e shantazhon LDK-në, partnerin e koalicionit qeverisës në mënyrë që t’ia jap asaj presidentin e pastaj posti i kryeminstrit të vihet në pazar. Mes këtyre dy skenarëve, besoj që i dyti është më i mundshëm”, ka thënë Qorrolli.

Ai po ashtu shtoi se pa PDK-në nuk mund të bëhet asgjë. Sipas tij, është lojtari kryesor në këtë proces.

“Duke qenë se PDK-ja është lojtari kyç në këtë moment për mbijetesë të Qeverisë Hoti, atëherë besohet se Haradinaj e di një ambicie të pashpallur, të fshehur, por jo të pamundur të zotit Mustafa për postin e presidentit. Ai duke e duke e përdorur këtë kartë, po tenton të bëjë presion te Mustafa që të tërhiqet nga gara për president. Qysh nga viti 2019 ka një marrëveshje gjysmësekrete mes Thaçit e Mustafës për një rokadë institucionale në postin e presidentit, në mënyrë që Mustafa vet të bëhet president. Kuptohet Hoti do të sakrifikohej dhe posti i kryeministrit do të vihej në pazar. Asnjë prej partive nuk i konvenon të shkojë në zgjedhje, pasi janë elektoralisht dobët. Pos dy skenarëve që përmenda, mund të shkohet në skenarin e tertë, që Haradinaj është në gjendje ta bëjë, ta them në mënyrë figurative, ta kallë lojën dhe të shkojë në zgjedhje”, ka thënë Qorrolli.