Një përleshje mes të dy të rinjve ka ndodhur dje në disa lokacione të kryeqytetit, raporton Gazeta Sinjali. Konflikti, motivi i së cilit dyshohet të jetë një mosmarrëveshje mes të dyshuarve, ka eskaluar në sulm e kërcënime.
Siç mëson Sinjali, në këtë rast janë të përfshirë dy persona, të moshave 20 dhe 23-vjeçare, të cilët u takuan teksa ishin me vetura në parkun e Dragodanit, për t’i qëruar hesapet për ngatërresën që kishin pasur kohë më parë. Pasi nuk u mjaftuan që e ofenduan njëri-tjetrin, ata dyshohet se vazhduan për një lokacion tjetër, ku sërish u takuan afër një restoranti në rrugën ‘Fahri Fazlii’, ku veçse u tensionua situata.
Aty, sipas informacioneve të para, 23-vjeçari e ka gjuajtur 20-vjeçarin me një gotë të xhamit, duke ia goditur veturën, derisa ky i fundit dyshohet se edhe iu drejtua me fjalë kërcënuese.
Me t’u raportuar rasti, Policia është vënë në lëvizje duke arrestuar dhe shoqëruar të dyshuarit në stacion policor, ku janë deklaruar për rastin në të cilin u përfshinë.
Pas intervistimit, burimet thonë se Prokuroria ka lëshuar urdhër për ndalimin e të dyshuarve. 20-vjeçari do të hetohet për veprën penale “kanosje”, ndërsa i dyshuari tjetër 23-vjëçar për “dëmtim apo asgjësim i pronës”.