Fjalë Kyçe

Dy të vdekurit në Podujevë mërgimtarë nga Malisheva, edhe një fëmijë në gjendje të rëndë

Dy të vdekurit në Podujevë mërgimtarë nga Malisheva, edhe një fëmijë në gjendje të rëndë

Dy personat që vdiqën në aksidentin tragjik që ndodhi sot në Podujevë, janë mërgimtarë nga fshati Jançishtë e Komunës së Malishevës, raporton Express.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Kryetari i kësaj komune, Ekrem Kastrati.

Ai ka thënë se njëri nga fëmijët që ka mbetur i lënduar është në gjendje të rëndë shëndetësore, derisa tjetri i lënduar lehtë.

“Dy qytetarë nga Komuna e Malishevës e kanë humbur jetën në një aksident trafiku. Njëri nga fëmijët është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe tjetri është i lënduar lehtë. Komuna e Malishevës është në ditë dhimbje e pikëllimi për humbjen e tyre. I shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe gjithë qytetarëve”, ka thënë Kastrati.

Ndryshe, një 35-vjeçare me inicialet M.S dhe një 36-vjeçar me inicialet Sh.S, kanë mbetur të vdekur pas një aksidenti të rëndë që ka ndodhur sot në rrugën Prishtinë-Podujevë, raporton Express.

Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Ahmeti ka bërë me dije se nga ky aksident kanë mbetur të lënduar edhe dy fëmijë.

“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, ka deklaruar Ahmeti.

Fëmijët e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, derisa trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Trupat e viktimave :Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër, 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.