Fjalë Kyçe

Dybala-Icardi, projektohet sulmi “atomik” i Interit

Dybala-Icardi, projektohet sulmi “atomik” i Interit

Paulo Dybala, pranë lamtumirës me Ju ventusin. Destinacioni i ardhshëm mund të jetë Interi ose Bayern Munich.

“Joya” i lënë në hijen e Ronaldos dhe gjithashtu marrëdhënia jo e mirë me trajnerin bardhezi, Masimiliano Allegri, mund të shtyjnë lojtarin drejt një largimi nga Torino.

Vëllai i tij, i cili është edhe njëkohësisht edhe menaxheri i tij, ka kontaktuar Xhuzepe Marotën, administratorin e deleguar të Interit. Argjentinasi mund të jetë i sakrifikuari i radhës i klubit bardhezi për të arritur marrëveshjen me një lojtar tjetër. Bëhet fjalë për kampionin e botës, Kylie Mbape, që ëndërrohet nga “Zonja e Vjetër”, për të formuar një dyshe ëndrrash me Ronaldon.

Kështu, Dybala mund të jetë blerja e re e skuadrës së Interit që do të formonte një sulm “atomik” së bashku me Mauro Icardin. Dy lojtarët vijnë nga i njëjti shtet dhe kanë luajtur disa minuta së bashku me Kombëtaren e Argjentinës. Menaxheri i sulmuesit, Mariano, ka filluar ndërkohë kontaktet edhe me Bayernin, që sheh te Dybala zëvendësuesin ideal të Arjen Robenit, i cili do të largohet në fundin e sezonit nga Mynihu. Atletico e Madridit është gjithashtu në listë, por bisedimet me klubin spanjoll nuk kanë avancuar për më tej.

Gjithsesi, Interi duket se qëndron në “pole position” për të transferuar lojtarin në Milano dhe kjo falë Xhuzepe Marotës, i cili ka një marrëdhënie të mirë me lojtarin, pasi ishte pikërisht “Bepe” që këmbënguli për ta transferuar nga Palermo në Torino. Dybala gjithashtu do të preferonte një qëndrim në Itali, edhe pse vështirësitë për të kaluar në një skuadër rivale si Interi nuk janë të pakta. Ndërkohë, ende nuk është diskutuar për një çmim të saktë, ndonëse shifrat kanë nisur të qarkullojnë.

Juventusi me siguri nuk do ta lëshojë atë për një çmim poshtë 120 milionë eurove, por ndërkohë ideja e Interit mund të jetë ajo që ta financojë në një mënyrë tjetër këtë blerje. Marota po mendon që të ofrojë 80 milionë euro për kartonin e sulmuesit argjentinas, ndërsa diferencën tjetër ta financojë me 30-40 milionë euro në formë bonusesh. Dhe me një “gjeni” merkatoje si Marota, vera e ardhshme në aksin Torino-Milano pritet të jenë e nxehtë.