Shtetet e Bashkuara thanë se do t’i lënë, së paku përkohësisht, 200 trupa paqeruajtëse në Siri, pas tërheqjes së planfikuar të shumicës së ushtarëve amerikanë nga vendi i shkatërruar nga lufta.
“Një grup i vogël prej rreth 200 paqeruajtësish do të mbetet në Siri për një periudhë kohore”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka befasuar ligjvënësit amerikanë dhe aleatët ndërkombëtarë në dhjetor, kur ka njoftuar se planifikon tërheqjen e të 2,000 ushtarëve amerikanë nga Siria.
Trump ka thënë se ata nuk janë më të nevojshëm, duke vlerësuar se grupi militant Shteti Islamik është mundur.
Njoftimi i ri i Shtëpisë së Bardhë vjen pasi Trump bisedoi në telefon me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
U raportua se dy presidentët ranë dakord “për të vazhduar kooridnimin për krijimin e një zone potenciale të sigurt” në Siri.
Shtetet e Bashkuara dhe Turqia janë aleatë në NATO, por tensionet midis tyre janë rritur viteve të fundit rreth disa çështjeve, përfshirë mbështetjen që u ka dhënë Uashingtoni forcave kurde në Siri.
Ankaraja i konsideron luftëtarët kurdë terroristë dhe thotë se ata kanë lidhje me separatistët kurdë që operojnë në Turqi.