Fjalë Kyçe

Dyshohet që uzurpoi tokën e shtetit, ngritet aktakuzë për mërgimtarin nga Peja

Dyshohet që uzurpoi tokën e shtetit, ngritet aktakuzë për mërgimtarin nga Peja

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Mujo Kurtaj për veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”.
Në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar T7, theksohet se Kurtaj me vendbanim në Gjermani, për vite e ka shfrytëzuar kundërligjshëm pronën e Institutit Bujqësor të Kosovës në fshatin Stankaj të Pejës, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Sipas Prokurorisë, prona e paluajtshme është uzurpuar që nga viti 2016 nga i akuzuari, i cili aty ka ndërtuar shtëpi.

Por, Kurtaj i ka mohuar akuzat.

Gjatë intervistimit nga policia, në gusht të vitit 2023, ai kishte deklaruar se shtëpia është pronë e familjes së tij, të cilën e kishin blerë shumë dekada më parë nga Zhukë Haxhija, të cilit shteti jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore ia kishte konfiskuar pronat si armik i shtetit.

“Sa i përket deklaratës së të pandehurit Mujo Kurtaj e dhënë në stacionin e policisë në Pejë i cili në tersi e ka mohuar faktin se ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet duke theksuar se kjo parcelë është familjes se tyre dhe se të njëjtën para 60-70 viteve e kishin blerë nga Zhukë Haxhija dhe se nga atëherë kjo pronë nuk është bartur në emër të familjes së tyre, ndërsa shtëpinë sipas tij e ka ndërtuar babai i tij në vitin 2016-2017 i cili ka ndërruar jetë me datë 04.08.2020 dhe të njëjtën e ka trashëguar me rastin e pjesëtimit të masës trashëgimore”, kishte thënë Kurtaj.

Për këtë deklaratë, prokuroria kishte kërkuar nga Gjykata që mos ta marrë për bazë pasi sipas tyre, e njëjta është drejtuar në ikjen e përgjegjësisë juridiko-penale.

“Në rastin konkret nga Gjykata kërkoj që këtë deklaratë mos ta marr për bazë ngase e njëjta është drejtuar në ikjen e përgjegjësisë juridiko-penale, ngase i pandehuri përveç deklaratës së tij nuk ka ofruar asnjë dëshmi tjetër me të cilin do ta provonte qëndrimet e tij lidhur me shtëpinë e cila është lëndë shqyrtimi”, thuhet në aktakuzë.

Madje, aty theksohet se hetime për këtë rast nuk janë zhvilluar fare pasi ka fakte të mjaftueshme që ai e ka kryer këtë vepër penale.

“Në këtë çështje penale nuk janë zhvilluar hetimet pasi që në shkresat e lëndës ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin faktin se i pandehuri e ka kryer veprën penale ‘Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme’ nga neni 320 par.1 të KPRK-së”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, për T7 ka bërë të ditur se përveç këtij rasti janë edhe 20 aktakuza të tjera të ngritura për ndërtime pa leje në këtë fshat.

“Prokuroria Themelore në Pejë ka kohë që është duke zhvilluar hetime për këto parcela. Duhet theksohet se janë rreth 20 aktakuza të ngritura për ndërtime pa leje në këto prona të Institutit Bujqësor, mirëpo, tash kemi filluar edhe për uzurpim të pronës, ku ky është vetëm rasti i parë ku janë edhe plot raste nën hetim, ku në vazhdimësi do të akuzohen persont që kanë rënë ndesh me ligjin dhe kanë uzurpuar pronën publike”, ka thënë Nikçi.

Nikçi ka njoftuar gjithashtu se Prokuroria e Pejës ka lëshuar flet-arrest për një person që dyshohet se ka tjetërsuar pronën e shtetit në fshatin Qyshk të Pejës, e për të cilin T7 mëson së është serbi Mitar Blagojeviq.