Fjalë Kyçe

Dyshohet se dy nga tri mjetet e përdorura nga grabitësit në Rinas mund të kenë hyrë nga Kosova

Dyshohet se dy nga tri mjetet e përdorura nga grabitësit në Rinas mund të kenë hyrë nga Kosova

Pesë persona janë shpallur në kërkim nga policia e shtetit të dyshuar si të përfshirë në grabitjen e parave ne Rinas.

Burimet nga hetimi i thane ABC news se ka dyshime që 2 nga 3 mjetet e përdorura nga grabitësit mund të kenë hyrë nga Kosova.

Policia e shtetit ka shpallur në kërkim 5 persona që dyshohen si të përfshirë në grabitjen e bujshme në Rinas më 9 prill.

Numri i personave që po hetohen është edhe më i madh. Hetuesit kanë në administrim 3 furgonë, që dyshohet se janë përdorur nga grabitësit, dy prej të cilëve u gjetën të djegur nga policia pas grabitjes.

Mjeteve ju janë fshirë numrat e shasisë për të penguar identifikimin e tyre.

Burime nga Policia e Shtetit konfirmojnë për ABC News se, 2 mjetet e djegur tip Mercedez- Benz dhe Vito nuk janë denoncuar të vjedhur në polici.

Nisur nga kjo hetuesit kanë dyshime se furgonët janë importuar nga shteti i Kosovës, ndërsa koha ku dyshohet se kanë hyrë në vendin tonë është e papërcaktuar.

Ndërsa furgoni me mbishkrimin Hetimi Tatimor që u përdor nga grabitësit për të hyrë në aeroport, ka qenë i modifikuar me pjesë nga makina të tipeve të ndryshme.

Departamenti i Drejtorisë Kriminale në policinë e Shtetit ka kërkuar ndihmën e homologëve të tyre kosovarë, pasi dyshohet se në atë shtet është porositur një pjesë e mirë e bazës materiale, nga grabitësit e Rinasit. Veshja e kamuflazhit dhe uniformat e ngjashme me ato të punonjësve të sigurisë së aeroportit të Rinasit “ICTS”, dyshohet se janë porositur jashtë vendit.

Deri tani kërkimet policore dhe pamjet e sekuestruara nga kamerat e sigurisë të disa prej bizneseve në Tiranë e Durrës, ku dyshohet se grabitësit mund të kenë loguar furgonin e modifikuar me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, nuk kanë dhënë rezultat.

Prokuroria e krimeve të rënda ka kërkuar informacion nga autoritetet kosovare në lidhje me familjen e Admir Murataj. Lidhur me këtë kërkesë ngrihen dyshime të forta se Admir Murataj i vrarë më 9 prill ka jetuar në Kosovë gjatë kohës që ka qenë në arrati, ndërsa u mor në pyetje, bashkëshortja e të ndjerit Albana Alimemeti. Ajo mohoi të ketë dijeni për grabitjen e Rinasit si edhe për personat që shoqërohesh në arrati viktima.

Dëshmi kanë dhënë edhe disa zyrtarë të “ICTS”, teksa u sekuestrua nga organi i akuzës edhe praktika e ndjekur nga kompania e cila është kontraktuar nga TIA për sigurinë e brendshme të aeroportit të vetëm kombëtar që ka Shqipëria