FBI thotë se ka arrestuar një person që dyshohet se është vrasës serial, përgjegjës për 4 viktima dhe 2 të plagosur në Misuri dhe Kansas. 25-vjeçari Perez Reed u arrestua të premten teksa po zbriste nga treni, tha FBI.
Në momentin e arrestimit ai mbante me vete një pistoletë që, sipas FBI, përkonte me armën me të cilin ishin kryer vrasje në Seint Luis në shtator 2021. “Të paktën 6 persona u qëlluan me këtë armë, 4 prej të cilëve kanë humbur jetën, ndërsa 2 të tjerë kanë mbetur të plagosur”, thuhet në njoftimin e FBI.
Sipas deponimit të të dyshuarit, të dorëzuar në Gjykatë, Reed i mohon akuzat. Të gjitha ngjarjet kriminale kanë ndodhur në periudhën shtator-tetor 2021. 4 raste janë regjistruar në Seint Luis, ndërsa 2 të tjera në Kansas Siti. Përveç armës së krimit edhe mënyra se si janë ekzekutuar vrasjet është e ngjashme, thotë FBI. Një tjetër provë që ka gozhduar 25-vjeçarin është edhe tatuazhi në formën e një gjysmëhëne që ka në ballë, që përkon me fotografitë e kamerave të sigurisë në një nga komplekset e banimit ku ka kryer një nga vrasjet.
Megjithatë, zyrtarisht FBI e ka akuzuar për armëmbajtje pa leje me qëllim kryerjen e veprave penale, pasi vrasjet po hetohen ende.