Java e fundit e Lojërave Olimpike dikur ishte koha kur yjet e sprintit nga Xhamajka shfaqeshin. Usain Bolt, Shelly-An Fraser-Pryce dhe shumë të tjerë merrnin vëmendjen e madhe në Lojërat Olimpike. Pas sukseseve vinin festa. Më pas rikuperimi dhe garat e tjera.
Këtë vit në Paris nuk kishte shumë për të festuar për Xhamajkën. Ka një ndjenjë që mund të kalojnë shumë vjet, e jo ditë, derisa kohërat e mira të shfaqen sërish për vendin e Karaibeve, të njohur për diellin e rërën. E sa i takon sportit, më së shumti për sprintin.
Të martën përfunduan gjysma e garave në atletikë. Dhe medalja e Kishane Thompson në vrapimin 100 metra ishte e vetmja e Xhamajkës në pistën e vrapimit.
Duket e pabesueshme, sidomos në Xhamajkë, por ky vend ka më shumë medalje në disiplinat tjera të atletikës se në vrapim.
“Unë e di se bota është mësuar të fitojë Xhamajka. Dhe Xhamajka gjithmonë feston”, thotë Asafa Powell, legjenda xhamajkase, që mbajti apo ndau rekordin botëror në 100 metra vrapim për gati tri vjet. Kjo ndodhi para se ikona Usain Bolt të thyente rekordin kur doli në skenë në vitin 2008.
“Por më besoni, kjo do të ndodhë përsëri”, ka shtuar Powell.
Ishte shumë pranë në Paris, në fakt. Thompson mbeti pa medalje ari në 100 metra vrapim për vetëm 0,005 sekonda.
Tek atletet e Xhamajkës më shumë u fol për lëndime.
Elaine Thompson-Herah, Shericka Jackson dhe Fraser-Pryce, të gjitha në të tridhjetat, u larguan nga garat e tyre olimpike për shkak të lëndimeve. Ato ishin në podiumin e 100 metrave në Tokio në vitin 2021.
Skuadra që fitoi 14 nga 24 medaljet olimpike në 100 dhe 200 metra vrapim për gra midis viteve 2008 e 2021, do të kthehet në shtëpi pa asnjë medalje në këto disiplina në Paris. Është hera e parë që nga viti 1976 që Xhamajka nuk e fitoi asnjë medalje për atlete në dy disiplinat e sprintit në Lojëra Olimpike.
“Mendoj se njerëzit na vlerësojnë më shumë kur shohin një periudhë të keqe si kjo”, tha Powell. Lajmet e këqija nisën më 9 qershor kur Thompson-Herah, kampione në fuqi në 100 dhe 200 metra, pësoi lëndim në një garë në New York.
Një muaj më pas, Jackson, atletja e dytë më shpejtë në histori në 200 metra, u tërhoq duke çaluar nga një garë në Hungari. Ajo arriti në Paris. Por fillimisht u tërhoq nga gara në 100 metra e më pas edhe nga ajo në 200 metra. Edhe po të garonte nuk është e sigurt se do të ishte e suksesshme. Koha e saj në kualifikime ishte 22.29 sekonda.
Kjo e la 37-vjeçaren Fraser-Pryce si të vetme atlete të gatshme në ekipin xhamajkas.
Por të shtunën Fraser-Pryce u tërhoq pak para gjysmëfinales në 100 metra, për shkak të një lëndimi.
Tani tifozët e atletikës e presin stafetën 4×100 metra, gara e së cilës disiplinë atraktive është të enjten.
A është shëruar mjaftueshëm garda e vjetër për të garuar? Apo bota do të shohë atletet si Tia Clayton (19), e cila përfundoi e shtata në 100 metra, Shashalee Forbes (28), e cila përfundoi e gjashta në gjysmëfinale në 100 metra dhe Niesha Burgher (21), e cila doli e pesta në gjysmëfinale të 200 metrave?
“Është një ekip shumë i ri”, tha Lanae Tava-Thomas, tjetër kandidate për stafetë. Ajo është 23-vjeçare dhe përfundoi e pesta në gjysmëfinalen e 200 metrave.
“Patjetër që kemi kohë për t’u zhvilluar. Do të jemi ekip shumë i fortë kur të zhvillohemi plotësisht”.
Historia megjithatë tregon se ka shpresë për Xhamajkën.
Ishte një kohë kur Merlene Ottey dukej e pazëvendësueshme. Ajo ka tri medalje të argjendta, gjashtë të bronzta dhe gjashtë Olimpiada për Xhamajkën. Më pas erdhi Veronica Campbell-Brown, e cila i fitoi tetë medalje olimpike, duke përfshirë tri të arta, nga viti 2004 deri në vitin 2016.
Një javë para Lojërave të Pekinit në vitin 2008, u shfaq Shelly-Ann Fraser. Ajo fitoi të artën në Pekin dhe përsëriti suksesin në vitin 2012. I fitoi tetë medalje gjithsej dhe u bë prej më të mëdhave të të gjitha kohërave.
Xhamajka pret yllin e ri te atletet, ndërsa tek atletët, Kishane Thompson ishte i panjohur jashtë ishullit para qershorit. Kjo tregon se sa shpejt gjërat mund të ndryshojnë.
Të kujtojmë që katër vjet para se të bëhej shumë i famshëm, Usain Bolt bëri debutimin olimpik në 200 metra në Athinë. Ai u eliminua pa shumë bujë në raundin e parë.
Katër vjet më pas, Bolt e ktheu pistën e vrapimit në skenë personale. Vrapoi shumë shpejt dhe festoi me pasion, duke bërë të gjithë për vete. Mbetet në kujtesë mënyra e festimit me “shigjetë”.
Në Paris, periudha e dominimit të Boltit ndoshta është ndier shumë e largët. Por për Xhamajkën ka shpresë.
“Do ta shohim Xhamajkën duke festuar sërish. Xhamajkasit kanë mënyrën më të mirë të festimit dhe bota dëshiron ta shohë atë”, thotë legjenda Powell.