Pretendime shqetësuese janë shfaqur në disa media të huaja, sipas të cilave persona të prekur nga koronavirusi i rrezikshëm në Wuhan të Kinës i pështyjnë qëllimisht mjekët dhe infermierët në fytyrë, e të njëjtën gjë bëjnë edhe me dorezat e dyerve.
Një 23 vjeçare nga Afrika e Jugut, Jessica Bailing, thotë se ka shumë frikë të dalë jashtë. “ Shkova të bëja pazarin, por ishte e tmerrshme. U mbulova kokë e këmbë, vesha doreza, vura syze, e sigurisht dhe maskën. Kam dëgjuar histori shokuese; njerëzit thonë se persona të infektuar, për shkak se u sëmurën vetë, përpiqen t`ia kalojnë virusin edhe të tjerëve. Madje kam parë dhe një video ku shihej sesi një burrë pështynte butonat e ashensorit të një pallati, të cilat padyshim do t`i shtypnin edhe banorët e tjerë”, është shprehur ajo.
Të tilla pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por ato mjaftojnë për ta shtuar frikën që ka mbjelle mes njerëzve virusi I ri për të cilin mjekët thonë se përhapet me spërklat e pështymës. Ekspertët e kanë konfirmuar sakaq se koronavirusi që vazhdon të marrë jetë njerëzish, mund të merret edhe përmes prekjes së sipërfaqeve të kontaminuara. Rastet e infektimit janë trefishuar brenda tre ditëve, çka e bën fuqinë e përhapjes së tij më të madhe se ajo e SARS-it.