Fjalë Kyçe

“E kanë sulmuar me grushte”, Policia jep detaje për sulmin ndaj gazetarit

“E kanë sulmuar me grushte”, Policia jep detaje për sulmin ndaj gazetarit

Mbrëmë në mesnatë është sulmuar fizikisht nga tre persona gazetari i Insajderit, Visar Duriqi. Detaje rreth këtij rasti ka dhënë Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i ka thënë Gazetës Express se në bazë të informacioneve të para, dyshohet se tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK, për trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe më pas është liruar nga aty”, ka deklaruar Borovci,

Ai ka thënë se policia tashmë ka iniciuar një hetim për zbardhjen e rastit.

“Aktualisht policia ka iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e plotë të tyre dhe në koordimin me prokurorin e shtetit po ndërmerr veprimet vijuese hetimore për rastin lëndim i rëndë trupor”, ka thënë Borovci.