Fjalë Kyçe

E konfirmon familja: Djokovic i nis stërvitjet për Australian Open

E konfirmon familja: Djokovic i nis stërvitjet për Australian Open

Familja e Novak Djokovic e ka konfirmuar në konferencë për media se ai ka nisur stërvitjet për të garuar në Australian Open.

Gjykata australiane vendosi në të mirë të tenistit serb, duke ia lejuar hyrjen në vend.

Ndërkohë, vendimi i gjykatës mund të shfuqizohet nga ministri i Imigracionit në Australi, i cili ka fuqinë që t’ia refuzojë vizën tenistit serb.

Përkundër kësaj, Djokovic ka filluar me stërvitjet, konfirmoi vëllai i tij në konferencën për media që e mbajti familja e tenistit.

“Novak është i lirë. Pak minuta më parë, ai u stërvit në një fushë tenisi. Ai erdhi në Australi për të luajtur tenis, për të provuar të fitojë një tjetër Australian Open”, u shpreh Djordje.

“Ne si familje e kemi pasur shumë të vështirë, jemi shumë të emocionuar për vëllain tim, është shumë e vështirë të mbrosh Novakun dhe të mos ofendosh askënd në të njëjtën kohë. Ne jemi luftëtarë për drejtësi dhe sundim të ligjit. Ne kemi bërë gjithçka që mundëm për të ndjekur procedurat dhe për t’i treguar të gjithëve në botë se duhet t’i dërgojmë dashuri Novakut”, tha ai.

Babai i Djokovic, Srdjan tha se rasti është festimi i fitores së tenistit.

“Në fund ai fitoi, drejtësia ka fituar dhe shteti i së drejtës ka fituar”, thotë ai.

Vendimi për pranimin apo refuzimin e vizës nga ana e ministrit të Imigracionit pritet të bëhet i ditur në ditët në vijim.