Jakup Krasniqi është arrestuar sot në Kosovë dhe është transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (“DHSK”), në Hagë.
Lajmin e ka konfirmuar njoftimi i fundit i Speciales.
“Arrestimi u krye nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (“ZPS”) në bazë të një aktakuze të konfirmuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe në zbatim të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim, të lëshuara nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Speciales.
“Në kryerjen e arrestimit, ZPS-ja pati mbështetjen operative dhe logjistike të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS-në”.
Që nga mëngjesi deri në orët e vonshme të pasdites janë bastisur dy shtëpitë e Jakup Krasniqit, në Prishtinë, dhe Negroc.
Pas përfundimit të operacionit Krasniqi është arrestuar, dhe më pas është transferuar për në Hagë, atje ku edhe është selia e Gjykatës Speciale.