Fjalë Kyçe

E pazakontë: Nxënësit protestojnë kundër mësimit online

E pazakontë: Nxënësit protestojnë kundër mësimit online

Qindra nxënës të shkollave të mesme në Tetovë, kanë protestuar kundër mësimit online. Ata kërkojnë që mësimin ta fillojnë me prezencë fizike. Në protestën e sotme, nxënësit kundërshtuan vendimin e Unionit të Nxënësve të cilët u pajtuan që këtë muaj mësimi të nis online.

“Ne nuk e përkrahim marrëveshjen e UNSHM me Ministrinë e Arsimit, sepse në atë marrëveshje nuk janë shfaqur kërkesat tona dhe nuk është marrë mendimi ynë për atë marrëveshje. Kërkesa jonë është që mësimi të fillojë fizikisht. Ne jemi të vetëdijshëm dhe mund t’i përmbahemi protokollit të shkollës që do e caktojë Ministria e arsimit apo e Shëndetësisë. Platforma online është e dështuar sepse njëjtë siç ishte mësim i dështuar me platformën, do jetë edhe ky tani”, u shpreh një nxënës.

“Ne kërkojmë që mësimi të filloj me prezencë fizike sepse shumë objekte deri më tani janë hapur dhe shumë aktivitete janë mbajtur. Këtu jemi mbledhur për ta shfaqur revoltën dhe bojkotin tonë sepse edhe shumë nxënës nuk kanë mjete për tu kyçur online”, tha një tjetër nxënës.

“Gjithë ne e dimë se sa efikas ka qenë ky lloj i arsimit ato tre muaj në vitin e shkuar. Ne do vazhdojmë protestat derisa organet kompetente të kuptojnë revoltën tonë dhe të marrin masa rreth kësaj çështjeje”, nxënës.

Ata thonë se një pjesë e madhe e nxënësve nuk i kanë kushtet për tu kyçur online si pasojë e mungesës së pajisjeve të duhura, por edhe kushteve të dobëta ekonomike.

“Ka shumë raste që nuk kanë pajisje sepse janë dy apo tre nxënës në të njëjtën shtëpi nuk kanë as dhoma të ndara dhe duhet nga një laptop për secilin për secilin veç”, nxënës.

Mësimi online aspak nuk ka filluar në shumicën e shkollave të Malësisë së Sharrit, pikërisht shkaku i internetit të dobët por edhe mungesës së kompjuterëve./alsat