Kosova shpalli të premten ditë zie për vdekjen e ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeparlamentari Glauk Konjufca në seancën e sotme.
“Para pak minutash presidentja sapo e shpalli ditë zie, ditën e nesërme (e premte)”, ka thënë Konjufca.
Këtë vendim, e ka shpallur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka shpallur të premten, 25 mars, ditë zie, si shenjë nderimi pas vdekjes së ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
“Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tone, sepse edhe vetë e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Osmani në një deklaratë të lëshuar nga Presidenca.
Seanca e planifikuar për sot, njoftoi Konjufca, u shty për të hënën.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka vdekur të mërkurën, në moshën 84-vjeçare.
Ajo vdiq nga kanceri, u bë e ditur në një njoftim të publikuar nga familja Albright në rrjetin social Twitter.
Madeleine Albright ishte gruaja e parë e zgjedhur në këtë post më 1997. Në këtë post shërbeu deri në vitin 2001, në administratën e Bill Clintonit.
Albright ka qenë sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.