Një nënë mrekullisht është rikthyer në “jetë” edhe pse punonjësit e kompanisë që merren me shërbime funerale, kishin shkuar për ta përgatitur trupin e saj të pajetë për ceremoninë e varrimit, pasi mjeku në një klinikë private në lindje të Paraguait kishte informuar të afërmit e saj se ajo ka vdekur.
Glady Rodriguez Duarte, ishte shtrirë në klinikën San Fernando gjatë të shtunës, pasi që kishte probleme me shtypjen e lartë të gjakut.
Sipas raportit të policisë së Paraguait, 50-vjeçarja ishte pranuar në spital rreth orës 9:30 të mëngjesit dhe ishte kontrolluar nga mjeku Heriberto Vera.
Megjithatë mjeku e kishte shpallur Rodriguez Duarten të vdekur në ora 11:20, ku më pas këtë lajm ua kumtoi bashkëshortit Maximino Duarte Ferreira dhe vajzës Sandra Duarte.
Madje mjeku ka zbuluar shkakun e vdekjes duke thënë se bëhet fjalë për kancerin cervikal. Por, ishte i menjëhershëm reagimi i bijës së saj, që akuzoi mjekun duke i thënë se në vend që të humb kohën për t’ua kumtuar menjëherë lajmin, është dashur të tentoj që ta rikthej në jetë.
“Ai mendoi se ajo kishte vdekur dhe ma dorëzoi lakuriq sikur të ishte ndonjë kafshë që kishte certifikatën e vdekjes. Ai madje as që tentoi ta rikthejë në jetë”, tha Duarte.
“Ne i kemi besuar atij dhe për këtë e kemi dërguar atje. Por ata e kanë shkyçur nga aparatet dhe kanë dhënë urdhër të dërgohet në morg”, ka shtuar ajo.
E në momentin që kompania që kryen shërbimet funerale kishte shkuar për ta përgatitur për varrim trupin e saj të pajetë, kishte vërejtur se ajo po lëvizte brenda qeses së najlonit.
Nga aty menjëherë është dërguar në një spital tjetër për tretman të mëtutjeshëm, nga ku i është stabilizuar gjendja shëndetësore.