Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tre personave të dyshuar për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”, raporton Express
Të pandehurit E.L., M.Q,. dhe F.U., dyshohen se me datë 15.04.2021, rreth orës 20:55 minuta, pas marrëveshjes paraprake, të pajisur me thika, kanë tentuar ta privojnë nga jeta të dëmtuarin D.M, derisa i dëmtuari ishte duke e festuar ditëlindjen, pasi ua kishte hapur derën, të pandehurit e kanë sulmuar me thika dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkaq dëshmitarët e kanë lajmëruar policinë.
“Të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen dhe duke e pas parasysh se të njëjtit fillimisht janë arratisur dhe për një kohë kanë qenë të paarritshëm për organet e ndjekjes andaj, me gjetjen e mundshme të tyre në liri mund të arratisen dhe të pengojnë rrjedhën normale të procedurës”, ka njoftuar Gjykata Themelore e Pejës.
“Gjithashtu, dëshmitarët e rastit ende nuk janë dëgjuar dhe të pandehurit janë shokë të ngushtë me njëri – tjetrin andaj, po qe se të pandehurit gjenden në liri do të mund të ndikonin në dëshmitarë dhe të bashkërendojnë mbrojtjen me njëri – tjetrin e në këtë mënyrë do të vështirësonin procedurën e hetimeve. Nga të lartcekurat, gjykata ka gjetur se paraburgimi është masa adekuate për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë”, bëhet e ditur në njoftimin e Gjykatës.