Fjalë Kyçe

E turpshme: Kulla e ish-komandantit të UÇK-së që dy vjet pa rrymë, anipse është në mbrojtje shtetërore

E turpshme: Kulla e ish-komandantit të UÇK-së që dy vjet pa rrymë, anipse është në mbrojtje shtetërore

Komandanti Ilaz Kodra anipse u rrit jetim dhe luftoi për Kosovën, kulla e tij në Skenderaj ka mbetur nën harresën e shtetit.

Kulla e tij ka gati dy vjet është pa rrymë dhe kushdo që do të mësojë më shumë për trimëritë e Ilaz Kodrës, në kullën e tij, këtë mund ta bëjë vetëm gjatë ditës. Për të nuk është interesuar askush, as pushteti lokal e as ai qendror, anipse familjarët e komandantit janë ankuar në institucionet lokale.

Rexhep Kodra, axha i Ilaz Kodrës, për Gazetën Express ka treguar se si ka ardhur deri tek ndalja e rrymës. Ai tha se ora e rrymës e cila ishte në kullë është larguar nga aty në një ditë kur ai nuk ishte aty.

“E kanë hequr orën prej kullës që ka qenë e kanë vendosur në shtylla lartë. Unë kur erdha e pashë”, tha Kodra.

Ai tregon se si i është kërkuar që fakturat e rrymës t’i paguajë ai, anipse sipas tij, nuk i takon.

“Ju thashë që mua nuk më takon ta paguaj, pasi unë jam familjar. Ata më thanë jo ti duhet me pagu, e unë i thashë nëse unë e paguaj atëherë po vendosna e po punoj në kullë”, tha Rexhep Kodra.

Axha i tij është ankuar në komunën e Mitrovicës, por të njëjtit nuk i kanë gjetur zgjedhje.

“I kam shpreh këto shqetësime në komunën e Mitrovicës, më thanë që turqit e kanë nën përkujdesje dhe nuk munden me bo diçka. Thash qysh nuk munesh me bo diçka, kur kjo është një kullë memorial e nuk është pronë private familjare”, tha Kodra.

Anipse kjo kullë gjendet në listën e Përkohshme të Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje, ende nuk është ndërmarrë asgjë për zgjedhjen e këtij problem. Sipas këtij ligji, monumentet që janë në këtë listë janë të përzgjedhura për ruajtje dhe mbrojtje nga Institucioni kompetent për këtë ligj.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Kulturës, por të njëjtit thanë se përgjigjet do të kthehen të hënën.

Kulla e Ilaz Kodrës madje nuk është as në menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës. Në një përgjigje për Gazetën Express thuhet se nuk dinë asgjë për gjendjen e kullës, pasi ajo nuk është nën menaxhimin e AMKMK-së.

Ky anashkalim nga organet përgjegjëse nuk u pritë mirë as nga sekretari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku. Ai tha se është turp që institucionet e Kosovës nuk janë interesuar për kullën e komandantit Ilaz Kodra.

“Kjo duhet me kon nën përkujdesje institucionale si lokale ashtu edhe qendrore. Është turp për institucionet nëse nuk përkujdesen”, tha Klinaku.

Vizitorët e kësaj kulle ende vazhdojnë ta përdorin dritën e telefonit nëse dëshirojnë ta shohin për brenda këtë kullë.