Fjalë Kyçe

E vodhi lopën dhe më pas e ndërroi me “Golf 2”, merret vendim për personin

E vodhi lopën dhe më pas e ndërroi me “Golf 2”, merret vendim për personin

Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, të premten, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me një vit burgim efektiv, të akuzuarin për vjedhje të lopës, Sejdi Seferi.

Krahas kësaj, i akuzuari Seferi është dënuar edhe me 500 euro gjobë, por të cilën nuk do ta paguajë nëse brenda dy vjetësh nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, gjykata e ka obliguar të akuzuarin që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro, ndërsa në emër të kompensimit të viktimave shumën në vlerë prej 30 euro.

Këtë dënimin, gjykata e ka shqiptuar pasi paraprakisht seancën e së premtes i akuzuari e ka pranuar fajësinë në të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykatësi i rastit, Agron Maxhuni, ka deklaruar se si rrethana rënduese për shqiptimin e këtij dënimi, ka marruar kryerjen edhe të veprave tjera penale të së njëjtës natyrë, ndërsa si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë.

Lidhur me dënimin me kusht, gjykatësi Maxhuni, ka deklaruar se ka marrë parasysh aspektin financiar të të pandehurit.

Po ashtu, gjykatësi ka njoftuar të pandehurin me të drejtën e tij në ankesë, sa i përket lartësisë së dënimit, ndërsa të dëmtuarin e ka udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 28 mars 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sejdi Seferit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Sejdiu me 6 maj 2016, në fshatin Banjskë, në Vushtrri, kishte shkuar në pronën e Rasim Ismajlit, dhe kishte tërhequr me një litar lopën, e vlerës prej 1200 euro, që kishte qenë duke kullotë.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri më pas lopën ia kishte dhënë Fadil Halitit, në shkëmbim me automjetin e llojit “Golf  II”, me një shumë prej 250 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje”, nga neni 325 par 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.