Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pranuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti, për takimin i cili synim ka diskutimin e zhvillimeve të fundit në raport me dialogun me Serbinë.
Ai ka thënë se ftesa e Kurtit vjen me vonesë, por sipas tij, çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, prandaj edhe do ta do ta pranojë këtë ftesë.
Ai ka shkruar në Facebook se ka pritur një proces më transparent dhe më gjithëpërfshirës rreth procesit të dialogut.
“Deri më tani, informimin e vetëm dhe të detajuar, LDK e ka pranuar vetëm nga aleatët ndërkombëtarë – të cilët në vazhdimësi i kanë qëndruar Kosovës në krah. Në këtë drejtim, dua të falënderoj në veçanti të dërguarin amerikan për Ballkan z. Escobar, ambasadorin amerikan në Prishtinë z. Hovenier; sikurse dhe të dërguarin e BE-së z. Lajçak. Në takime me ta, kam rikonfirmuar mbështetjen e plotë për masat e reciprocitetit; sikurse kam dhënë mbështetjen e plotë për vet procesin e dialogut”, ka shkruar ai.
Sipas tij, publiku kosovar ndërsa, mbetet ende i painformuar mbi këtë proces, siç mbetet i painformuar edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Abdixhiku ka thënë se dy javë pas takimit në Bruksel, kryeministri ka zgjedhur të informojë spektrin politik në vend duke shtuar se këtë qasje të mbyllur e kanë kritikuar gjithherë edhe kur ky kryeministër ndante opozitën me ta.
“Qëndrimi ynë për dialogun është i qartë dhe i pandryshueshëm. Ne besojmë se dialogu është interes kombëtar i Kosovës, dhe jo prioritet i fundit, siç besoj ta ketë mësuar kryeministri tashmë. Besojmë se nëpërmjet dialogut Kosova duhet të arrijë drejt marrëveshjes finale me njohjen reciproke në thelb të saj. Po ashtu, besojmë se dialogu i copëzuar, për tema teknike e jo për kornizën e gjithmbarshme, është në interes të Serbisë edhe atëherë kur arrihen fitore të pjesshme për ne. Sot Kosova duhet të ulet e insistojë për marrëveshjen finale, me SHBA-të dhe BE-në si garantuese të saj. Është detyrë e kryeministrit të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese në përmbylljen e këtij procesi vital për shtetin tonë. LDK do të mbështesë çdo marrëveshje finale që plotëson të tri kriteret e padiskutueshme: 1) respektimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës; 2) ruajtjen e integritetit territorial të vendit; dhe 3) sigurimin e njohjes reciproke. Këtë qëndrim do t’ia bëjë të qartë kryeministrit Kurti”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se kanë mbështetur vendimet që synojnë shtrirjen e ligjshmërisë e mbrojtjen e sovranitetit të vendit.
Sipas tij, nga tema e referendumit e deri tek ajo e reciprocitetit, LDK-ja ka dhënë mbështetje të qartë dhe të menjëhershme në komunikim të brendshëm.
Thotë se të njëjtin mesazh mbështetjeje e kanë përçuar në çdo komunikim me faktorin ndërkombëtar.
“Kjo mbështetje nga eksponentë të partisë në pushtet është përdorur me qëllime keqinformimi, sa të jepej përshtypja se relacioni s’bëhet me Serbinë por me opozitën në vend; ndërsa nga zërat kritik të shoqërisë mbështetja jonë është parë si shenjë e opozitarizmit të dobët. Të vetëdijshëm mbi kritikat dhe mospajtimet rreth qasjes sonë, për dallim nga e kaluara jonë polarizuese që ky pushtet e ka ushqyer gjithmonë, ne kemi zgjedhur që përballjen për sovranitet e ligjshmëri kundrejt Serbisë të mos e bëjmë temë nacionale në Kosovë. Shtetin dhe pushtetin e dallojmë në thelb të veprimit tonë politik. Jo se është dalluar në të shkuarën, por s’jemi si ta, s’duam të bëhemi si ta”, ka thënë ai.
Një ditë më parë (28 gusht), kryeministri Albin Kurti, iu bëri thirrje krerëve të opozitës që të takohen për ta diskutuar marrëveshjen e arritur me Serbinë dhe pikat e tjera të dialogut. Ftesës pozitivisht i është përgjigjur edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.