Fjalë Kyçe

Edhe dy të vdekur nga koronavirusi në Veri të Kosovës

Edhe dy të vdekur nga koronavirusi në Veri të Kosovës

Në veri të vendit gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur dy persona nga COVID-19, dhe dy të tjerë janë infektuar, ka bërë të ditur anëtari i shtabit të krizës në veri të Mitrovicës, njëherit epidemiologu Aleksandër Antonijeviq, gjatë konferencës për media të këtij shtabi që u mbajt sot në veri të Mitrovicës.

Dy personat të cilët humbën jetën nga koronavirusi janë nga Zveçani dhe Leposaviqi, ndërsa dy të infektuarit nga veriu i Mitrovicës.

Sipas Antonijeviq, në veri të Kosovës deri tani janë konfirmuar me COVID-19 gjithsej 82 persona, janë shëruar 21, ndërsa kanë vdekur 5 persona.

“Që nga fillimi i marrjes së mostrave dhe deri ditën e djeshme janë testuar 665 persona, nga të cilët kemi 82 të infektuar, 21 të shëruar dhe fatkeqësisht 5 të vdekur…Sipas komunave situata është si vijon, në veri të Mitrovicës 33 të infektuar, 9 të shëruar dhe një i vdekur. Në Zveçan janë 19 të infektuar, 11 të shëruar dhe një i vdekur. Në Leposaviq 11 të infektuar, një i shëruar dhe tre të vdekur. Në Zubin Porok, janë 19 të infektuar”, ka thënë Antonijeviq.

Sa i përket personave të hospitalizuar, ai shtoi se në spitalin e veriut të Mitrovicës aktualisht janë duke u trajtuar 18 pacientë, derisa në konviktin e studentëve ndodhen 30 pacientë.

Në pyetjen e KosovaPress-it nëse qytetarët e veriut do të vazhdojnë të respektojnë masat për kufizimin e lëvizjes sipas rekomandimeve nga Prishtina, apo ato të Beogradit të cilat nga sot kufizojnë lëvizjen nga ora 18;00 deri në 05;00 të mëngjesit, Antonijeviq la të kuptohet se qytetarët do të respektojnë rekomandimet nga Prishtina.

“Në Serbi është ndryshe, këtu shtabi i krizës ka ndërmarr masa ndryshe, të cilat nuk janë të njëjta siç janë në Serbi”, theksoi Antonijeviq.