Fjalë Kyçe

Edhe në Ferizaj fluks i madh i qytetarëve rrugëve të qytetit

Edhe në Ferizaj fluks i madh i qytetarëve rrugëve të qytetit

98 persona nga komuna e Ferizajt janë konfirmuar deri më tani me COVID-19. Kjo komunë ka numrin më të madh të personave të prekur me koronavirus. Mirëpo në Ferizajë shtë rritur edhe numri i të shëruarve. Janë 74 persona të cilët janë shëruar, ndërkaq kanë mbetur të prekur me virus edhe 24 të tjerë, ndërsa 2 kanë vdekur si pasojë e infektimit me koronavirus

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, tha për Gazetën Express  se momentalisht nuk ka mostra të reja të cilat do të testohen. Ai theksoi se do të ritestohen personat e mbetur me koronavirus, për të parë nëse janë shëruar apo jo.

“Deri më tani në komunën tonë kemi pasur 98 raste të konfirmuara me COVID-19. Nga këta 98 persona, janë shëruar 74, 24 janë ende aktivë, por do të ritestohen, ndërkaq për fat të keq kemi pasur edhe 2 raste që kanë përfunduar me vdekje si pasojë e COVID-19”, tha Aliu.

Aliu bëri të ditur momentalisht në komunën e Ferizajt nuk ka mostra të reja që do të testohen.

“Sot nuk kemi persona kontakti që do të testohen, por deri mbrëmë kemi pasur testime në vazhdimësi. Në përgjithësi jemi të kënaqur me numrin e testimeve, të gjitha listat që i kemi dorëzuar në IKSHP janë testuar. Qytetarët kanë pasur frikë dhe panik, ka pasur kërkesa për testime, por është e pamundur të testohen të gjithë të paktën pa e pasur ndonjë manifestim klinik”, deklaroi Aliu për Express.

Kreu i Ferizajt tha se me lehtësimin e masave nga ana e Qeverisë së Kosovës, po vërehjen dalje më të shumta të qytetarëve nëpër Ferizaj.

“Ka dalje më të mëdha, kam kërkuar që të shmangen daljet, por është e pamundur me u shmangë. Por në lehtësimin e masave përfshihen edhe biznese të cilat kanë punëtorë, në Ferizaj e kemi të zhvilluar sektorin e ndërtimtarisë, dhe rrjedhimisht punëtorët që dalin në punë krijojnë masën. Po ashtu janë dyqanet me pakicë, edhe ata dalin. Por edhe një pjesë e qytetarëve dalin pa e pasur kohën e daljes”, tha Aliu.

Ai theksoi se policia po merr masat e duhura për të mbajtur rendin në Ferizaj. “Policia ka marrë masa, edhe sot kemi pasur takimin e Shtabit Emergjent, ka qenë drejtori regjinal i policisë. Policët janë në pika të ndryshme dhe po e vëzhgojnë, po ashtu po e ruajnë rendin që të mos i lejojnë qytetarët të dalin pa nevojë dhe pa e pasur kohën e daljes e cila është e përcaktuar me leternjoftim”, tha Aliu.

Ndërkohë, numri total i personave të prekur me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 855. Nga ta janë shëruar 403, ndërkaq në tërë territorin e Kosovës kanë vdekur 26 persona.