Fjalë Kyçe

“Edhe një jetë e humbur që kumbon luftën që na është shpallur grave”, Kolektivi Feminist proteston të hënën në kryeqytet

“Edhe një jetë e humbur që kumbon luftën që na është shpallur grave”, Kolektivi Feminist proteston të hënën në kryeqytet

Kolektivi Feminist bën thirrje që të hënën të dilet për të protestuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, nga ora 17:30.

Kjo pasi një grua u vra dhe vëllai i saj u plagos këtë të premte në Ferizaj, ndërsa për këtë krim i dyshuar është ish-burri i tashmë të ndjerës, raporton Klankosova.tv.

“Ky rast i femicidit është duke treguar që vajzat dhe gratë në Kosovë nuk janë askund të sigurta. Ato dhunohen e vriten në shtëpi, në strehat e shtetit, në rrugë e në spitale, pa mbrojtje e pa siguri nga shteti”, shkruan në njoftimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

“Femicidi dhe lufta që iu është shpallur grave duhet të na revoltojë të gjitha/ë dhe të na ngrisë në këmbë shesheve dhe rrugëve në Prishtinë e kudo për të kërkuar që shteti me të gjitha strukturat e saj t’iu dalë në krah vajzave dhe grave dhe ta trajtojë femicidin si urgjencë kombëtare. Ne si shoqëri duhet të ngrihemi e ta luftojmë bashkë këtë patriarkalitet që nuk po lë strehë të sigurtë për gratë deri sa ua merr edhe frymën e fundit”, thuhet tutje në shkrimin e postuar në Facebook.