Fjalë Kyçe

Edhe personat nën 18 vjeç do të vaksinohen

Edhe personat nën 18 vjeç do të vaksinohen

Fëmijët e ndjeshëm 16 dhe 17-vjeçarë tashmë kishin të drejtë të vaksinoheshin. Ata të moshës 12 deri 17-vjeç do të mund të vaksinohen nëse jetojnë me dikë me sistem të dobët imunitar
Fëmijët mbi 12 vjet që janë më të rrezikuar për t’u sëmurë nëse infektohen me COVID-19 do të mund të vaksinohen, ka konfirmuar ministri britanik i vaksinave, Nadhim Zahawi.

Por pjesa më e madhe e fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar, që rrezikohen pak, nuk do të mund të vaksinohen tani për tani. Sidoqoftë, disa fëmijë të shëndetshëm mbi 12-vjeçarë, që jetojnë me njerëz më të ndjeshëm mund të vaksinohen, po ashtu edhe ata që janë gati për t’i mbushur 18 vjet. Kjo do të thotë se, në përgjithësi, rreth 370 mijë fëmijë do ta gëzojnë këtë të drejtë. Mbretëria e Bashkuar dallon prej vendeve të tjera – si SHBA-ja dhe Kanadaja – që kanë vaksinuar masivisht fëmijët e moshës 12 deri 17-vjeçare.

Vendimi është bazuar në rekomandimet e ekspertëve britanikë të vaksinave – Komitetit të Përbashkët për Vaksina dhe Imunizim (JCVI). Ministrat në Angli, Uells, Skoci dhe Irlandë Veriore i kanë miratuar planet.

Ata që mund të vaksinohen tani janë fëmijët e ndjeshëm 12 deri 15-vjeçarë, me çrregullime të rënda në tru, me sindromën Down, sistem shumë të dobët imunitar, përfshirë fëmijët me kancer, dhe ata që kanë vështirësi në të mësuar.

Fëmijët e ndjeshëm 16 dhe 17-vjeçarë tashmë kanë pasur të drejtë të vaksinohen. Ata të moshës 12 deri 17-vjeçare do të mund të vaksinohen nëse jetojnë me dikë me sistem të dobët imunitar. Adoleshentët që brenda tre muajsh do t’i mbushin 18 vjet do të mund të vaksinohen; qëllimi është që të mbrohen njerëzit që po e kryejnë shkollën, para se të fillojnë të punojnë apo të studiojnë.

Zahawi ka thënë se kanë kërkuar nga NHS-ja që t’i mundësojë vaksinat sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që fëmijët që kanë të drejtë ta marrin atë të kontaktohen nga shërbimi shëndetësor. Ata do ta marrin vaksinën “Pfizer-BioNTech”, pasi është e vetmja që është miratuar për fëmijët e moshës 12 deri 17 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar. Agjencia Evropiane Mjekësore ka thënë se inflamacioni në zemër pas vaksinimit është efekt shumë i rrallë anësor, që mund të trajtohet me pushim dhe ilaçe kundër inflamacionit, të tilla si ibruprofeni.

Profesori Anthony Harnden, që është në krye të JCVI-së, ka thënë: “Qëllimi kryesor i programit të vaksinimit ka qenë gjithmonë që të parandalohen hospitalizimet dhe vdekjet”.

Më pak se 30 fëmijë kanë vdekur si pasojë e COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar. JCVI-ja ka thënë se përparësitë e vaksinimit të fëmijëve për ta parandaluar shpërndarjen e virusit te grupmoshat më të vjetra janë të paqarta, pasi shumë të rritur të ndjeshëm veçse janë vaksinuar plotësisht. Dhe as nuk ka ndonjë dëshmi se vaksinimi i fëmijëve mund t’i parandalojë nga infektimi me COVID të gjatë, ka njoftuar JCVI-ja.

Por, prof. Lawrence Young, virolog në Shkollën Mjekësore të Warwickut, ka thënë: “Ky vendim është për t’u brengosur në një kohë kur jemi duke u mbështetur në vaksinim dhe në përgjegjësinë personale për të na ndihmuar ta kalojmë pandeminë. “Përderisa fëmijët e infektuar kanë simptoma të lehta, COVID-19 shkakton më shumë vdekje dhe hospitalizim te fëmijët, krahasuar me sëmundjet e tjera virale, të cilat janë konsideruar mjaft të rënda për të garantuar vaksinimin, për shembull gripi”.