Fjalë Kyçe

Edon Zhegrova e komenton debutimin me Baselin

Edon Zhegrova e komenton debutimin me Baselin

Zhegrova është shprehur i lumtur për debutimin me Baselin dhe ka falënderuar tifozët për mbështetjen.

Pritjes së gjatë i ka ardhur fundi. Edon Zhegrova është shfaqur për herë të parë në fushë me fanellën e Baselit, pas transferimit nga Genku te klubi.

Talenti i Kombëtares së Kosovës debutoi duke u inkuadruar në lojë në minutën e 84’ në fitoren 2-0 të Baselit kundër Neuchatel Xamax.

Zhegrova e zëvendësoi Valentin Stockerin në këtë ndeshje, duke luajtur vetëm disa minuta.

Megjithatë, Zhegrovës i mjaftuan ata minuta që të tregojë çfarë talenti është.

Ai dhuroi momente magjike për aq kohë sa ishte në fushë.

Pas ndeshjes, 19-vjeçari ka folur për debutimin me fanellën e Baselit, teksa iu ka premtuar tifozëve që do të vazhdojnë të japin maksimumin në çdo ndeshje, për të ruajtur pozitën e dytë dhe për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.

“Shumë i lumtur për fitoren dhe debutimin me Baselin. Do të vazhdojmë të punojmë shumë për t’i fituar të gjitha ndeshjet e radhës. Faleminderit tifozëve për mbështetjen e madhe”, ka shkruar Zhegrova në Instagram.