Sipas njohëseve të ekonomisë dhe çështjeve të sigurisë, termi luftë dhe konflikt që po përdoret nga zyrtarët shtetërorë, duhet të zëvendësohet me deklarime se Kosova është e sigurt për investitorë.
Kjo sipas tyre sepse nëse vazhdohet me këto terme kështu do të ketë hezitim për të investuar në Kosovë.
“Termi luftë është një frikësim i qytetarëve, i investitorëve dhe është term i vrazhdë për gjithë ata që e përdorin. Ky term do të duhet të hiqet nga përdorimi i krejt zyrtarëve të Kosovës dhe të zëvendësohet me termin e zhvillimit ekonomik të Kosovës së sigurt për investime, të Kosovës me prosperitet dhe në këtë formë ne do të ngrisim besimin tek investitorët e huaj, por njëkohësisht edhe siguri në vendin tonë”, tha Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.
Sipas tij, Kosova është vendi më i sigurt në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke marrë parasysh që këtu janë të përqendruara forcat ushtarake të NATO-s.
“Njerëzit që përdorin termin luftë, konflikt ata janë njerëz të dobët. Kjo i shkon në favor Serbisë e cila gjithmonë edhe në Këshill të Sigurimit thotë se në Kosovë nuk ka siguri për serbët, e asnjë qytetar”, u shpreh tutje Shahini.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, për EkonomiaOnline ka thënë se në aspektin terminologjik dhe substancial përdormi i termit luftë, nxit reagim e shqetësime të qytetarët, te faktori ndërkombëtar dhe tek investitorët e jashtëm.
“Në aspektin terminologjik dhe substancial nëse përdoren këto terme luftë, atëherë kjo nxit një reagim një shqetësim edhe të opinionin apo qytetarëve, por edhe faktorit ndërkombëtar edhe investitorëve të jashtëm. Ngase kur përmendet lufta atëherë atij i rrezikohet biznesi nëse mendon të investoj në Kosovë në çfarëdo forme. Për këtë arsye mendoj që lidershipi ynë duhet që të jetë i kujdesshëm edhe në aspektin e përkufizimeve por njëkohësisht edhe nuk duhet të jap ashtu rëndësi apo një popullaritet nga se kjo po ka pasoja edhe për shqetësim qytetar, por njëkohësisht edhe për një formë tërheq vëmendjen edhe të investitorëve të mundshëm, partnereve tanë që janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për investimet strategjike në Kosovë”, u shpreh ai.