Juristi Kushtrim Palushi ka dhënë dy arsye se përse Thaçi dhe Veseli nuk janë deklaruar rreth dyshimeve ndaj tyre.
“E para, ata s’janë deklaruar që të mos bëjnë publike më shumë për çfarë dyshohen, duke besuar në radhë të parë se Prokurori nuk do të ngrejë aktakuzë. E dyta, edhe nëse ngritët aktakuza, ajo mund të mos konfirmohet. Kësisoj, mbahet e heshtur se për çfarë ata janë të dyshuar”, ka thënë ai në RAPORT të KTV-së.
Palushi ka shtuar se e sigurt është që Prokurori i ka identifikuar krimet dhe viktimat për të cilat dyshohen ata. “Deklarata e Prokurorit përmend 100 viktima dhe ato viktima me siguri janë përmendur me emra”, ka thënë ai.
Megjithatë, si ka thënë Palushi, në rast se aktakuza konfirmohet, ajo do të bëhet publike, kështu që përfundimisht do të mësohet se për çfarë akuzohen ata.
“Edhe gjykimi do të jetë publik, mirëpo ekziston edhe mundësia tjetër që vetë Zyra e Prokurorit të Specializuar u ka dhënë udhëzime palëve që të mos flasin në publik”, ka shtuar Palushi.
Sa i përket pranisë së kryetarit të Zyres për Mbrojtjen e të Akuzuarve Potencialë, gjatë intervistimit të Lushtakut, Palushi ka thënë se një gjë e tillë tregon për dështimin e Speciales.
“Ajo u ka lejuar hyrjen në objekt të personave që mbase s’duhet të jenë në atë cilësi. Ne nuk e dimë se në çfarë cilësie ka marrë pjesë Lajçi në procesin e intervistimit të Lushtakut. Duhet të bëhet një rishikim, rreth asaj se kush lejohet në objekt. Një gjë e tillë tregon për dështim të administratës së Speciales”, ka thënë ai.
Ndërsa Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë në “Raport” se publikimi i vetëm dy emrave nga disa të dyshuar sa janë, mund të konsiderohet drejtësi selektive. Zekaj ka theksuar se konfidencialiteti është prej parimeve të kësaj gjykate.
“Vetë procesi i mbylljes së gjykatës është i paraparë me rregullat juridike të gjykatës, me rregullat e procedurës dhe provave të gjykatës së specializuar. Konfidencialiteti është një prej parimeve të kësaj gjykate. Aktakuza dhe të gjitha materialet tjera parashihet të dërgohen në mënyrë konfidenciale. Në njoftimet e muajit shkurt dhe prill, deklarohet se aktakuza është konfidenciale deri sa ajo të konfirmohet. Tani ndodhi e kundërta, u publikuan dy emra nga disa të dyshuar që përfshihen në aktakuzë. Kjo mund të konsiderohet si drejtësi selektive, për shkak se po publikohen vetëm një pjesë e personave të dyshuar që janë në aktakuzë”, ka thënë ai.
Sipas Zekajt, ka dyshime tjera, nëse Thaçi është intervistuar më herët apo jo.
“Dihet botërisht që Kadri Veseli, si i dyshuar i dytë i kësaj aktakuze, është intervistuar gjatë dhjetorit. Kjo lë dyshime nëse Thaçi është intervistuar më herët, ndonëse ai nuk e pranon. Në rregullat e gjykatës parashihet edhe bashkëpunimi juridik me institucionet brenda Kosovës, ku obligohen të gjithë personat dhe institucionet të bashkëpunojnë me gjykatën. Kjo lë dyshime në këtë fazë”.
Megjithatë jo çdo herë prokurorët kanë respektuar procedurat, sipas Zekajt. Ai ka përmendur një shembull.
“Kemi pasur raste në të kaluarën kur prokurorët kanë ftuar të dyshuar dhe i kanë obliguar me urdhra të caktuara që t’i dërgojnë provat, provat që i akuzojnë ata. Kjo ka ra në kundërshtim edhe me Kushtetutën”.