Fjalë Kyçe

Ekspertët zviceranë të mjekësisë ligjore për rastin Dehari, nesër në Kosovë

Ekspertët zviceranë të mjekësisë ligjore për rastin Dehari, nesër në Kosovë

Dëshmitarë të rinj janë paraqitur për rastin Astrit Dehari, i cili është gjetur i vdekur katër vjet më parë në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Sipas avokatit të familjes Dehari, Tomë Gashi, dëshmitarët kanë informacione të reja lidhur me ngjarjen.

“Persona të caktuar janë duke u lajmëruar në zyrën time për të dhënë informata shtesë që kanë të bëjnë më vrasjen e Astrit Deharit. Së fundi është lajmëruar edhe një avokat i cili në ditën kritike ka qenë në qendrën e paraburgimit në Prizren derisa ka deklaruar se ka qenë shumë i frikësuar pasi ka parë gjëra të pazakonshme”, ka thënë ai.

Gashi ka bërë të ditur se të enjten në Kosovë do të vijnë ekspertët zviceranë e të cilët pritet të sqarojnë ekspertizën e tyre lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Në anën tjetër, në mungesë të prokurorit ka dështuar të mbahet seanca ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për sulm ndaj Kuvendit. Pjesë e saj ishte edhe anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, cila ka kërkuar tërheqjen e aktakuzës.

“Si Vetëvendosje kërkojmë që prokuroria të tërhiqet nga ajo aktakuza, sepse edhe Gjykata e Apelit e ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë dhe tani këta janë në rigjykim. Kjo është akuzë e padrejtë dhe gjykime të padrejta të cilat ne si lëvizje i kundërshtojmë”, ka thënë Haxhiu.

Seanca e radhës ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje do të mbahet më 27 tetor në ora 09:00.