Marrëveshjet në Shtëpinë e Bardhë të Trumpit i ndanë në dy anë qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, e gjithashtu edhe ata të rajonit që pashmangshmërisht preken nga nënshkrimet e vëna të kosovarit dhe serbit.
Derisa dikush në Kosovë nuk dyshoi se do të vijë ndonjë e keqe nga Amerika, pati të tjerë – përfshirë këtu edhe opozitën – që pjesën më të madhe të marrëveshjes e konsideruan të rrezikshme dhe të dëmshme për vetë shtetësinë e Kosovës.
Në grupin e atyre, që nuk panë më shumë se ceremoni për interesa elektorale të presidentit aktual amerikan që po synon ta mbajë këtë post edhe për katër vjet të tjera, është edhe eksperti gjerman për Ballkanin Perëndimor Bodo Weber.
Madje, ai në një intervistë për klankosova.tv as nuk i cilësoi si marrëveshje të arriturat që u prezantuan si ndër më të rëndësishmet në historinë e re të dy popujve.
“Lidhur me marrëveshjet juridikisht jodetyruese dhe jomarrëveshjet – siç i etiketoj dy letrat e ndara të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë, kjo përzierje e egër, kryesisht e pikave shumë të përgjithshme, pjesërisht zotime thjesht jodetyruese që janë të përfshira në letrën e nënshkruar nga Vuçiqi dhe Hoti sikurse i gjithë procesi që çoi në nënshkrimin e ceremonisë/shout “historik”, dëshmon atë që u bë e dukshme gjatë gjithë 11 muajve të performancës së Grenellit si emisar. Domethënë këto përpjekje të SHBA-së kishin synim para së gjithash politikën dhe interesat e Presidentit Trump dhe bashkëpunëtorëve të tij, d.m.th të Grenellit. Kryesisht u përqendrua në momentin e ceremonisë së nënshkrimit, në photo-op (një mundësi e shkurtë për fotografi me një politikan të famshëm) dhe jo në ndikimin e tyre, afatshkurtër apo afatgjatë në Kosovë, Serbi, rajonin e gjerë dhe lëre më zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme e mosmarrëveshjes së statusit Kosovë-Serbi”.
Të parëndësishme e konsideron të shtrohet çështja se cili shtet përfitoi më shumë kur sipas tij e gjithë ceremonia kishte për qëllim vetë fotografinë dhe jo atë të zbatimit ose moszbatimit të pikave të nënshkruara.
“Për shembull, nëse Biden fiton zgjedhjet presidenciale në këta dy muaj, të gjitha dokumentet e së premtes menjëherë do të bëhen histori”.
“Duke gjykuar nga fotografitë e ceremonisë së nënshkrimit dhe deklaratat e tij të fundit mbi pikën e zhvendosjes së ambasadës së Serbisë në Jerusalem, këto letra krijuan dhimbjen më të madhe të kokës për Presidentin Vuçiq”.
Weber thotë se për të dhënë sukses një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet fillimisht njohje reciproke – që nënkupton paqe.
“Në përgjithësi, vetë fakti që midis politikëbërësve, gazetarëve dhe publikut të gjerë në Kosovë dhe Serbi, perceptimi i marrëveshjes përqendrohet në pyetjet se cila palë fitoi dhe cila humbi, është prova më e mirë se kjo ceremoni e Shtëpisë së Bardhë nuk ka të bëjë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e as nuk jemi diku afër një marrëveshjeje të tillë. Sepse me një marrëveshje përfundimtare, përfshirë njohjen e Kosovës nga Serbia që vendos paqen dhe marrëdhëniet normale dypalëshe midis Kosovës dhe Serbisë kështu duke përmbushur një parakusht kyç për qëndrueshmërinë ekonomike, të dyja sikurse Kosova ashtu edhe Serbia e kryesisht qytetarët e tyre, fitojnë”.
Kosovarët, që prezantohen si populli më pro-amerikan në botë, patën shpresa të mëdha se Shtëpia e Bardhë do të jetë gjithashtu shtëpi nga ku do të vjen njohja nga Serbia përmes së cilës do t’i hapej rruga për t’u integruar në organizatat botërore.
Por, Weber thotë se takimi i 4 shtatorit as që kishte të bënte me njohjen reciproke. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk ndodhi pse Washingtoni nuk deshi.
“Fotografia e Shtëpisë së Bardhë për Administratën Trump nuk kishte të bënte as me njohjen, as me një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Fakti që njohja nuk përfundoi në letrën e nënshkruar nga Vuçiq, nuk është për shkak se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta arrinin atë po të donin, por sepse qasja e Administratës Trump ishte se: çdo marrëveshje është marrëveshje e mirë”.
Weber nuk i pati kritikat e pakta për udhëheqësit aktualë të Kosovës. Madje, ato i ngjanin opozitës së Avdullah Hotit që e akuzojnë atë se vendin e çoi në dialog pa një plan dhe platformë konkrete derisa për presidentin Thaçi tha se e vuri në shitje territorin e Kosovës për të shpëtuar vetë.
“Përveç kësaj, kam frikë se Kryeministri dhe përfaqësuesit e tjerë të qeverisë që çirren përherë për njohje nuk kanë të bëjë me faktin se ndonjë marrëveshje përfundimtare do të duhet të përfshijë njohjen në thelb të saj, por tregon se qeveria aktuale nuk ka asnjë platformë serioze negociuese dhe as ndonjë strategji serioze të negocimit – përveç asaj qasjes ndryshe të Presidentit Hashim Thaçi që është: “e shes integritetin territorial të Kosovës në këmbim të shpëtimit nga Gjykata Speciale”.
Gjermani beson se në fund të fundit do të jetë BE-ja ajo që do ta arrijë ta përfundojë pajtimin e plotë mes Kosovës dhe Serbisë.
Por, sipas tij, për të ndodhur kjo duhet të bien nga pushteti dy presidentë: Trump, që pengoi BE-në në këtë proces dhe rënia e Thaçit që do të përfundojë kaosin në politikën kosovare.
“Unë ende jam i bindur se një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e bazuar në njohjen e Kosovës, mund dhe do të arrihet në Bruksel në të ardhmen e afërt. Por, për shkak të performancës aktuale të Administratës së Trump që po minon përpjekjet e BE-së drejt një rivendosje serioze të negociatave që nga vjeshta e kaluar, nuk mendoj se negociatat e vërteta në Bruksel do të jenë në gjendje të fillojnë derisa administrata e ardhshme amerikane të hyjë në zyrë”.
“Për më tepër, duket se kaosi politik në Prishtinë do të përfundojë vetëm pas disa muajsh pas zgjedhjeve të reja të presidentit të ri. Në tërësi, unë nuk shoh që negociatat serioze do të bëhen para pranverës së vitit 2021 dhe të gjitha raundet e tanishme dhe të ardhshme të bisedimeve në Bruksel mund të jenë vetëm të natyrës përgatitore”./Klan Kosova